Lajme

Hani i Elezit – komuna me transparencën më të lartë buxhetore për vitin 2020


Pas publikimit të raportit ”Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2020”, nga Instituti GAP, komuna me transparencën më të lartë buxhetore del të jetë Hani i Elezit me gjithsejtë 100 pikë, duke e lënë pas komunën e Shtimes me 86 pikë dhe Mitrovicën me 85 pikë.

Ky raport ofron vlerësimin e transparencës buxhetore të komunave në Kosovë, duke i renditur komunat në bazë të performancës më të mirë.

Sipas raportit, thuhet se indeksi për vitin 2020 tregon një nivel mbi mesatar të transparencës buxhetore të komunave, ku 24 nga 38 komuna kanë mbledhur mbi 50 pikë.

“Komunat me transparencën më të lartë buxhetore në vitin 2020 janë Hani i Elezit (100 pikë), Shtimja (86 pikë) dhe Mitrovica (85 pikë). Ndërsa, komuna e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit nuk kanë mbledhur asnjë pikë në indeks, duke mos publikuar asnjë dokument buxhetor apo organizuar ndonjë dëgjim buxhetor me qytetarë”, thuhet në raport.

Indeksi për transparencë buxhetore komunale 2019 dhe 2020

Ndërkaq, progres më të madh në transparencë buxhetore në vitin 2020 kanë komuna e Shtimes, Malishevës, Podujevës, Kaçanikut dhe Gjilanit.

Kurse ndër komunat që kanë shënuar “regres” janë, Drenasi, Suhareka, Istogu dhe Ferizaj.

Bazuar në raportin e publikuar nga GAP, thuhet se përkundër obligimeve ligjore, një numër i konsiderueshëm i komunave vazhdojnë të mos i publikojnë dokumentet buxhetore siç kërkon legjislacioni në fuqi.

“Prandaj, për të rritur transparencën buxhetore në komuna, Instituti GAP rekomandon që MAPL të monitorojë dhe nxisë implementimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2020 për transparencë në komuna, konkretisht të vlerësojë nëse janë duke u publikuar dokumentet e kërkuara buxhetore nga komunat, dhe nëse të njëjtat janë publikuar në bazë të fushave në web faqen e komunës”.

Krahasim: Indeksi 2019 dhe 2020

Sipas raportit, numri i komunave që kanë arritur të mbledhin mbi 50 pikë në indeks është i njëjtë për vitin 2019 dhe 2020 (rreth 63% e komunave). Ndërsa, nga viti 2018 në 2019, është zvogëluar për tetë pikë përqindje.

Progresin më të madh në vitin 2020 e kanë komuna e Shtimes, Malishevës, Podujevës, Kaçanikut dhe Gjilanit.

Rritja e pikëve të mbledhura në indeksin e vitit 2020 vjen si rezultat i rritjes së numrit të dokumenteve buxhetore të publikuara apo përmirësimit të formatit të publikimit.

Ndërsa, komunat që kanë shënuar regres në transparencë buxhetore nga viti 2019 në 2020, kanë publikuar më  pak dokumente, në formate që marrin më pak pikë, apo kanë mbajtur më pak dëgjime buxhetore me qytetarë dhe këtë vit janë komuna e Drenasit, Suharekës, Istogut dhe Ferizajt.

Indeksi i Transparencës Buxhetore është raport vjetor i Institutit GAP, që publikohet nga viti 2017. Në këtë raport ofrohet vlerësim i detajuar për komuna rreth dokumenteve buxhetore dhe formatit në të cilin janë publikuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore