Kosova

Guvernatori i BQK-së ia dorëzon Konjufcës raportin e 2023-së: Për herë të parë u plotësua norma e përcaktuar ligjore


Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe guvernatori i BQK-së Ahmet Ismajli.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili të premten ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, raportin vjetor për 2023 i cili është vlerësuar se ka qëndrueshmëri dhe stabilitet afatgjatë.

Përmes një komunikate dërguar mediave është thënë se ky është viti i parë që BQK-ja si institucionet ka arritur të plotësojë normën e përcaktuar ligjore.

“Ky është viti i parë pas Pavarësisë së Kosovës që BQK-ja si institucion kushtetues, ka arritur të plotësojë normën e përcaktuar ligjore në Llogarinë e Rezervave të Përgjithshme (neni 55 i Ligjit), duke siguruar qëndrueshmërinë financiare”.

“Madje, sipas kërkesave ligjore (neni 56 i Ligjit), BQK-ja ka arritur të alokojë 50% të të ardhurave të ndashme si të hyra për Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim është vlerësuar se raporti paraqet përmbushje të obligimeve që i kanë nga Kushtetuesja.

“Raporti gjithashtu paraqet qëndrueshmërinë afatgjatë financiare të BQK-së dhe realizimin me sukses të objektivave dhe detyrave të ngarkuara nga Kushtetuta dhe Ligji për BQK-në”.

Më 1 prill, Dhoma e Tregtisë së Industrisë në Kosovë, ka bërë të ditur se Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kishte larguar tarifën për depozitimin e monedhave metalike.

Kjo dhomë ka sqaruar se tashmë bizneset nuk detyrohen të paguajnë këtë tarifë gjatë depozitim të monedhave metalike.

“Ndërsa me kërkesë të BQK-së dhe me dakordim paraprak me Drejtuesit e Bankave Komerciale të njëjtën praktikë e kanë zbatuar të gjitha bankat komerciale në vend”, thuhej në komunikatë.

Ky vendim është miratuar pasi konsiderojnë se dëmtohen rëndë bizneset që operojnë me monedha metalike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore