Lajme

Largohet nga BQK-ja tarifa për depozitimin e monedhave metalike


Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Dhoma e Tregtisë së Industrisë në Kosovë, ka bërë të ditur se Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka larguar tarifën për depozitimin e monedhave metalike.

Kjo dhomë ka sqaruar se tashmë bizneset nuk detyrohen të paguajnë këtë tarifë gjatë depozitim të monedhave metalike.

“Ndërsa me kërkesë të BQK-së dhe me dakordim paraprak me Drejtuesit e Bankave Komerciale të njëjtën praktikë e kanë zbatuar të gjitha bankat komerciale në vend”, thuhet në komunikatë.

Ky vendim është miratuar pasi konsiderojnë se dëmtohen rëndë bizneset që operojnë me monedha metalike.

“Si shembull për ilustrim po sqarojmë se para ndryshimit të tarifës për depozitimin e monedhave metalike nga BQK, për dorëzimin e 10.000 EUR para metalike në bankat komerciale, biznesit i janë ndaluar 370 deri në 500 euro”.

“Bizneset që janë afektuar më së tepërmi nga kjo tarifë ishin furrat e bukës, marketet, dyqanet e vogla etj., që më së shumti kanë punë me monedha metalike, e të cilat operojnë me marzha shumë të ulëta të fitimit, andaj aplikimi i kësaj tarife ka shkaktuar një barrë të madhe për këto biznese”.

Në të kaluarën vazhdimisht ishin zhvilluar takime e aktivitete të vazhdueshme duke kërkuar që tarifa për valutat metalike për bizneset të cilëve i’u janë ndaluar 3.7%, 5%, 8% e shumës së dorëzuar gjatë depozitimit të monedhave metalike nga qarkullimi i tyre, të largohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore