Lajme

Grusht shteti në Gjermani? Arrestohen 25 persona të dyshuar për komplot


Njëzet e pesë persona janë arrestuar në Gjermani, të dyshuar për komplot për të rrëzuar qeverinë.

Raportet gjermane thonë se grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarak planifikonte të sulmonte ndërtesën e parlamentit, Reichstag, dhe të merrte pushtetin.

Një gjerman i referuar si një princ i quajtur Heinrich XIII, 71, dyshohet se ka qenë qendror në planet e tyre.

Në mesin e të arrestuarve në 11 shtete gjermane, sipas prokurorëve federalë, ishin dy drejtues të dyshuar.

Komplotuesit thuhet se përfshijnë anëtarë të lëvizjes ekstremiste Reichsbürger (qytetarët e Rajhut), e cila ka qenë prej kohësh në vështrimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste. Ata gjithashtu refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman.

Reichsbürger refuzon tu bindet ligjeve dhe nuk paguan taksa me rreth 20 mijë anëtarë në të gjithë Gjermaninë, nga të cilët 1 mijë e 150 konsiderohen “të rrezikshëm për demokracinë” nga Zyra e Mbrojtjes së Kushtetutës.

Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë komplotuar për të përmbysur republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së 1871.

Sipas Prokurorisë, organizata puçiste u themelua një vit më parë, me krijimin e një Këshilli Qendror, të strukturuar si një qeveri reale në hije, e cila do të mblidhej rregullisht për të planifikuar marrjen e pushtetit.

“Krahu ushtarak” i strukturës kishte për detyrë neutralizimin e shtetit demokratik në çdo nivel.

“Anëtarët e organizatës e dinin se qëllimet e tyre mund të arriheshin vetëm përmes përdorimit të dhunës dhe gjakderdhjes. Por ata e konsideruan këtë skenar si një hap të domosdoshëm për ndryshimin e sistemit”, thuhet në deklaratën e hetuesve.

Ndërsa ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, foli për “greminën e një kërcënimi terrorist” dhe shpjegoi se “organizata e zbuluar sot udhëhiqet nga fantazitë e dhunshme të përmbysjes dhe ideologjive konspirative ”.

Faeser falënderoi policinë për “aksionin e rrezikshëm në mbrojtje të demokracisë sonë”.

Disa nga të akuzuarit janë ish-pjesëtarë të ushtrisë dhe dyshohet se kanë nxjerrë ilegalisht armë nga stoku i ushtrisë gjatë viteve të tyre në shërbim, ndërsa të tjerët kanë licenca armësh.

Pas marrjes së tyre, grupi kishte parashikuar rinegocimin e traktateve të nënshkruara nga Gjermania pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me aleatët.

“Për momentin, Federata Ruse do të ishte ekskluzivisht kontakti qendror për këto negociata”, thanë prokurorët.

Ndërsa Heinrich XIII kishte bërë përpjekje për të kontaktuar Moskën, prokurorët thanë se “nuk ka asnjë tregues se kontaktet kanë reaguar pozitivisht ndaj qasjes së tij”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore