Lajme

Gruevski në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit


Ndër shtatë individët e ndaluar nga Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), për të hyrë në SHBA, ishte edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski.

Ky i fundit akuzohet për shmangien e vazhdueshme të arrestimit të tij për akuza të lidhura me korrupsionin.

“Gjë e cila paraqet një pengesë serioze për llogaridhënien për korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut”, shkruan Departamenti i Thesarit.

Gruevski, sipas autoriteteve amerikane, ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion.

Ai akuzohet se ka përvetësuar prona publike, ka shpronësuar prona private për përfitime personale, ose qëllime politike dhe ka marrë ryshfete.

Akuzat për porositje të dhunës

Në shtator të 2020-ës, Gruevski dhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, u shpallën fajtor për porositje të dhunës.

Sipas akuzës, ish-kryeministri e kishte porositur Mile Janakieskin që të organizojë sulm ndaj ish-këshilltarëve të opozitës së atëhershme LSDM.

Në këtë mënyrë ato e përcollën sulmin në opinionin publik si protestë qytetare nga revolta për vendimin për prishjen e një kishe në Komunën e Qendrës.

Gruevski, i cili u arratis në Budapest për të shmangur vuajtjen e një dënimi me burg, sipas mediave hungareze ka hapur një kompani në Hungari.

Ai u arrestua në Budapest në nëntor të 2018-ës, pasi u dënua me dy vite burg për korrupsion. Kjo, pas shpërdorimeve të konstatuara gjatë blerjes së automjetit qeveritar në vlerë prej afro 600 mijë eurosh.

Ai u zhduk disa ditë para se të shkonte në burg dhe iu dha azil politik në Hungari.

Kompania – e quajtur I.C.I.C. Kft – ka selinë në Pecel, një periferi të Budapestit.

Gruevski është pronari dhe drejtori i kompanisë, e cila u regjistrua më 15 korrik.

Aktivitetet kryesore të kompanisë përfshijnë menaxhimin dhe konsulencën e biznesit, por edhe shitjen me shumicë të porcelanit, enëve të qelqit dhe produkteve të pastrimit dhe organizimin e ngjarjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore