Lajme

Greva vazhdon, thotë Jasharaj


Rrahman Jasharaj

Pavarësisht pakos së re të prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cila pritet të mbështesë të gjithë sektorin publik me nga 50 euro, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva do të vazhdojë.

Një deklaratë të tillë, Jasharaj, i dha gazetarëve para fillimit të takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Jemi optimist se zonja presidente do të jep kontributin e saj që dialogu të jetë i vërtetë. Deri më tani ky dialog ka munguar dhe ky vendimi sot është një anshëm pa u konsultuar me sindikatat. Greva vazhdon”, tha Jasharaj.

Qeveria e Kosovës ka prezantuar të shtunën pakon e përballjes me inflacionin, duke ndarë shtesa për disa sektorë, duke nisur nga shtatori.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një konferencë për media të shtunën, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, se shtesa prej 50 eurosh për sektorin publik nuk ka të bëjë me Ligjin e Pagave.

Sipas tij, kjo shtesë po bëhet për këtë vit fiskal, dhe se është ndihmë për ta përballuar inflacionin.

Çka ndodhi?

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Vendimin e njëjtë e përforcoi ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, ku kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore