Shqipëria

Gratë deputete dënojnë ‘me ashpërsi’ dhunën ndaj Açkës


“Aleanca e Grave Parlamentare dënon me ashpërsi dhunën dhe intimidimin e ushtruar dje në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ndaj Kryetares Flutura Açka dhe kolegeve tona deputete anëtare në këtë komision”.

Kështu nis deklarata e Aleancës së Grave Parlamentare në lidhje me incidentin e ditës së djeshme kundrejt deputetes së Partisë Demokratike, Flutura Açka, në Komisionin e Medias.

Referuar deklaratës, dhuna është një akt që tregon dëshpërim.

“Përdoruesit e dhunës tregojnë hapur pamundësinë e tyre për të pranuar se ka mendim ndryshe, qëndrim ndryshe”, vijon deklarata.

Dhuna ndaj grave, sipas tyre, është të mos kuptosh më vetitë më të rëndësishme njerëzore dhe të futesh në një tunel errësire.

“Ne gratë deputete, shprehim indinjatë të thellë për atë që ndodhi dje si dhe për gjithë klimën e linçimit dhe përbaltjes së grave dhe kërkojmë vënien para përgjegjësive të autorëve të kësaj dhune”, thuhet në deklaratën e tyre.

Gratë parlamentare shtojnë po ashtu se besojnë te politika e arsyes, e mendjes dhe e argumenteve të qarta dhe refuzojmë errësirën e së paarsyeshmes, dhunën që vjen si pasojë e mungesës së argumenteve.

“Ne dënojmë aktet e dhunshme dhe shpresojmë që jo vetëm të mos përsëriten më, por Kuvendi të kthehet në shinat e normalitetit dhe të gjithë deputetët të bëjnë detyrën për të cilën qytetarët i kanë votuar. Ne i sigurojmë qytetarët shqiptarë e në veçanti gratë shqiptare se do vijojmë të jemi zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë dhe do të refuzojmë e përballemi me çdo akt dhune dhe që frymëzon dhunë ndaj grave”, theksojnë ato.

Vetë Açka, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, reagoi në lidhje me përplasjet në Komisionin e Medias.

Ajo theksoo se nuk mund të pranojë gjykimin politik të atyre që u mbajnë “diplomat era barut Gërdeci”.

Açka shkroi se deputetët e grupit të “Rithemelimit” duhet të përballen vetë me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, nëse kanë pengje personale me të.

“Unë mund të pranoj gjykim politik prej kujtdo, por jo prej çyrëve që iu mbajnë diplomat era barut Gërdeci. Unë kam zot vetëm Zotin. Dhe Ai më shtyn të them e të bëj atë që ndiej e besoj se është e drejta. Kjo është e panegociueshme. Nëse keni pengje personale me Lulzim Bashën, përballuni me të vetë, ndershmërisht”.

Kanë qenë kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe deputeti Flamur Noka që kanë penguar punimet e Komisionit.

Açka iu kërkoi që të dilnin nga salla dhe të vijonin punimet, por Bardhi i ka fikur mikrofonin dhe më pas dikush pas tyre e ka tërhequr atë duke e hedhur me forcë.

Pas këtij episodi, Açka njoftoi gazetarët se do të mbante një konferencë urgjente për mediat.

Në rend të ditës së komisionit ishte miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të datave 18 dhe 19 dhjetor 2023 dhe diskutimi dhe miratimi i kalendarit të punës së Komisionit për periudhën 15 janar- 2 shkurt 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore