Shqipëria

GovTech: Indeksi i Angazhimit Qytetar në Shqipëri – dy herë mbi mesataren globale


Indeksi i Maturimit të Agjencive Teknologjike Qeveritare (GovTech) ka publikuar raportimin e Bankës Botërore për digjitalizimin e shërbimeve në Shqipëri për vitin 2020.

Një ndër treguesit më pozitivë të transformimit digjital të sektorit publik është Indeksi i Angazhimit Qytetar (CEI).

CEI-ja në Shqipëri ka një pikavarazh prej 0.86 në raport me 0.46 që është mesatarja globale.

Pavarësisht rritjes së investimeve në të gjithë botën, pjekuria e GovTech është “më e ulët se sa pritej” në shumicën e vendeve.

Hulumtimi i Bankës Botërore tregon se angazhimi digjital i qytetarëve mbetet i ulët.

Indeksi i Ofrimit të Shërbimeve Publike (PSDI) është një tjetër komponent pozitiv i digjitalizimit në Shqipëri.

Banka Botërore e vlerëson me 0.86 pikë në raport me mesataren globale 0.61.

Indeksi i Maturimit të Agjencive Teknologjike Qeveritare që është dhe fokusi kryesor i publikimit ka një pikavarazh prej 0.75.

Mesatarja globale e këtij indeksi është 0.52.

Nga 198 ekonomitë e shqyrtuara, njësitë qeveritare që udhëheqin agjendën e GovTech ekzistojnë në 80 prej tyre.

Shqipëria

Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit po udhëheq iniciativat GovTech në Shqipëri.

Raporti sjell në vëmendje strategjinë e re digjitale të qeverisë shqiptare për vitin 2021.

Fokusi, sipas saj, ishin shërbimet e aksesueshme universale, angazhimi i qytetarëve dhe të gjithë qeverisë.

Portali e-Albania është një platformë e integruar online, thekson publikimi, e aksesit në më shumë se 750 shërbime kryesisht transaksionale.

Agjencia për Ofrimin e Shërbimeve të Integruara ka krijuar 9 qendra shërbimi për qytetarët dhe 10 sportele shërbimi për të zgjeruar qasjen.

Përveç kësaj, raporti nënvizon dhe lançimin e platformës “Shqipëria që duam”.

“Qytetarët mund të japin komente për shërbimet publike, të paraqesin ankesa, të ndajnë idetë e tyre dhe të kërkojnë informacion në lidhje me vendimet dhe aktivitetet e qeverisë”, konstaton Banka Botërore.

Ndarjet digjitale

Vendet udhëheqëse të GovTech gjenden në Evropë, Amerikën Veriore dhe Jugore, Azinë Lindore dhe Australazi.

Shtetet që po përballen me “sfida në shkallë të gjerë GovTech” janë më të dukshme në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore sesa në rajone të tjera.

Raporti thekson gjithashtu se “megjithë përparimin e mirë në shumicën e rajoneve, ndarja digjitale vazhdon midis dhe brenda rajoneve”.

Të gjitha vendet shënuan rezultate më të larta në fushat e sistemeve kryesore të qeverisë, shërbimeve në internet dhe mundësive të GovTech sesa në angazhimin digjital të qytetarëve.

Hulumtimi nxjerr në pah 22 shembuj të praktikave të mira si portali qendror i qeverisë digjitale të Australisë, myGov.

Kjo e fundit ofron akses në më shumë se 900 shërbime në internet dhe u lejon qytetarëve të paraqesin një ankesë ose të japin komente për ato shërbime online.

Teknologjitë përçarëse

Banka Botërore u bën thirrje gjithashtu qeverive të përdorin më shumë “teknologji digjitale përçarëse”.

Këto komponente mund të përmirësojnë shumë operacionet kryesore të qeverisë dhe ofrimin e shërbimeve online.

“Qeveritë mund të përdorin teknologji përçarëse për të thjeshtuar dhe shkurtuar ofrimin e shërbimeve online me kosto më të ulët, për të përmirësuar efikasitetin e sistemeve kryesore të qeverisë (përfshirë prokurimin elektronik), për të rritur transparencën dhe për të reduktuar korrupsionin”, ravijëzon raporti.

Publikimi pranon se ndërsa interesi për qeverinë digjitale po rritet në të gjithë botën, zbatimi është disi i vështirë.

“Shndërrimi i premtimeve të zgjidhjeve dixhitale në rezultate të prekshme, të matshme dhe të qëndrueshme mbetet sfiduese”, cek Banka Botërore.

Ajo që është thelbësore për iniciativat e GovTech kudo është “angazhimi në nivele të larta të qeverisjes dhe shpërndarja e burimeve të nevojshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore