Lajme

Goncharenko: Respekt për Kosovën, por ajo s’është çështja kryesore për Ukrainën


Oleksiy Goncharenko

Oleksiy Goncharenko, anëtar i delegacionit ukrainas në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” të martën, tha se njohja e Kosovës nuk është fort e rëndësishme për Ukrainën, por shprehet se Kosova nuk mund të jetë “zonë gri” në Evropë.

Një ndër politikanët e zëshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina, në këtë intervistë theksoi se për shkak të agresionit rus, asnjë progres nuk është bërë në drejtim të njohjes së Kosovës. Por ai kërkoi nga Serbia ta njohë Kosovën dhe të heqë dorë nga ambiciet perandorake.

 “Jo, nuk ka ndonjë përparim sa i përket kësaj çështjeje, për momentin, por arsyeja është e qartë. Ukraina është në një pozitë shumë të vështirë dhe, me gjithë respektin për Kosovën, ajo nuk është çështja kryesore për Ukrainën tani”, theksoi ai, derisa kërkoi nga Serbia ta njohë realitetin.

“Fatkeqësisht, në Serbi ka dy trende. Njëra ka të bëjë me ndërtimin e një vendi demokratik, të cilin e mbështes plotësisht, dhe tjetri ka të bëjë me rindërtimin e perandorisë serbe. Dhe, e kam thënë hapur se epoka e perandorive në Evropë ka marrë fund. Serbia duhet të pajtohet se nuk mund të jetë më perandori. Duhet të jetë një vend normal dhe demokratik”.

Ndryshe, shteti që Ukraina nuk e njeh i ka strehuar dhjetëra gazetarë ukrainas prej fillimit të pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Kosova po ashtu është pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) kundër Rusisë, ndërsa vazhdon të dërgojë paketa mbështetëse për Ukrainën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore