Lajme

Gjykata turke lë në burg filantropin Osman Kavala


Një Gjykatë në Stamboll ka urdhëruar të hënën e 21 shkurtit, që filantropi turk, Osman Kavala, të mbetet në paraburgim.

Kjo mund të tensionojë më tej marrëdhëniet e Turqisë me Evropën.

Seanca dëgjimore ishte e para që pas një mosmarrëveshjeje mbi rastin, që solli një krizë diplomatike.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kërcënoi se do t’i dëbonte ambasadorët e 10 vendeve, pasi ata kërkuan që Kavala të lirohej.

Grupet e të drejtave kanë kritikuar ndalimin dhe gjykimin e Kavalës.

Ata e kanë cilësuar si absurde dhe të motivuar politikisht.

Qeveria turke ka hedhur poshtë kritikat, duke shtuar se gjyqësori i Turqisë është i pavarur.

Vendimi i gjykatës mund të rrezikojë anëtarësimin e Turqisë në Këshillin e Evropës, i cili ka kërkuar lirimin e Kavalës në përputhje me një vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

Turqia është anëtare e Këshillit të Evropës prej 47 vendesh dhe është e detyruar nga kushtetuta e saj kombëtare të ndjekë vendimet e GJEDNJ.

Por Ankaraja zyrtare ka injoruar disa nga urdhrat e GJEDNJ-së, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me lirimin e Kavalës, si dhe me politikanin pro-kurd të burgosur Selahattin Demirtas.

“Nuk ka prova të reja”

Kavala, 64 vjeç, është i njohur në Turqi për punën e tij me grupet e shoqërisë civile, duke përfshirë Fondacionin e Shoqërisë së Hapur.

Ai u arrestua për herë të parë më shumë se katër vjet më parë dhe u akuzua në vitin 2019 si pjesë e një komploti pas protestave të Parkut Gezi të vitit 2013 në Stamboll.

Kavala u lirua nga një gjykatë turke në shkurt 2020.

Por filantropi nuk u lirua kurrë dhe disa orë pas shpalljes së pafajësisë, prokurorët ngritën akuza të reja, duke thënë se ai ishte pjesë e një komploti të veçantë në lidhje me një përpjekje të dështuar për grusht shteti të vitit 2016.

Kavala ka mohuar akuzat, duke thënë se janë të një “natyre fiktive” dhe nuk bazohen në asnjë provë.

Ai ka refuzuar të marrë pjesë në seancat e mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore