Shqipëria

Gjykata lë në fuqi masat për mjekët e Onkologjikut


Gjykata Penale e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi të gjitha masat e sigurisë kundrejt disa mjekëve të Spitalit Onkologjik, të cilët janë nën jetim, pasi dyshohet se kanë shtyrë forcërisht pacientët drejt kurimit në sektorin privat ku ishin të punësuar dhe kanë abuzuar me mjekimet për kancer, duke i administruar doza më të pakta pacientëve.

Ishte Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, ajo e cila kërkoi masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi”, në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Për këto arsye, u kërkua në Gjykaten e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe u miratua caktimi i masave të sigurisë për shtetasit:

E.G. (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi”;

E.L. (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K. Penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur” neni 234 i K.Pr.Penale;

A.Y. (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;

B.Q. (ish Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;

D.K. (Ish specialist pranë QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale;

H.G. për vepren penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 I K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur ne policine gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale; dhe

F.M. për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” neni 237 i K.Pr.Penale.

Koçiu mbron Ministrinë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e ka mbrojtur punën e institucionit që ajo drejton, gjatë një interpelance kërkuar për skandalin në Spitalin Onkologjik, ku disa mjekë drejtonin pacientët me kancer për kurim në sektorin privat dhe manipulonin sasinë e ilaçeve të administruara.

Koçiu, lidhur me rastin, tha se të gjithë mjekët, të cilët abuzojnë me detyrën, në çdo formë, nga aspekti administrativ, do të përballen me sanksione dhe me ligjin.

Koçiu mbron Ministrinë për rastin e Onkologjikut, opozita i kërkon dorëheqjen

E gjitha kjo, gjatë kohës kur opozita kërkonte me ngulm dorëheqjen e saj gjatë fjalës së ministres.

Ajo shtoi se në raste të sjellëve amorale do të merret masa e ndalimit të ushtrimit të detyrës.

“Pa diskutim abuzimi i rëndë m detyrën i një grupi farmacistësh, dhe staf mjekësor që kanë luajtur me njerëzit dhe shëndetin e tyre, kjo vetëm një përgjigje; ndëshkim ligjor, administrativ dhe moral”, theksoi Koçiu.

Më pas, shtoi: Për çdo njeri nga ata që kanë nisur hetim, do të mbajnë mbi shpinë moralin e turpin. Për të sanksionuar me ligj ata mjekë, s’mund t’i quaj më as profesionist, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall të shumicës, do të përballen me masa që do t’i bëjmë të ditura. Do t’u hiqet e drejta e profesionit në rast se do të bëjnë sjellje amorale nëse cenojnë profesionin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore