Shqipëria

Gjykata Kushtetuese shqyrton kërkesën e Këshillit të Ministrave për çështjen Meta-Cakaj


Gjykata Kushtetuese të martën e 18 majit ka nisur shqyrtimin e kërkesës së Këshillit të Ministrave për çështjen e mosdekretimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga presidenti Ilir Meta.

Përfaqësuese e Këshillit të Ministrave për këtë çështje është Elira Kokona, sekretarja e Përgjitshme e Ministrit të Drejtësisë. Ajo ka deklaruar se presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e refuzoi dekretimin jashtë çdo lloj kompetence.

Sipas Kokonës, presidenti Meta cenoi rëndë parimet e parlamentarizmit. Kokona u shpreh se Meta bëri verifikime, të cilat nuk janë kompetencë e tij, por e Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërtimi i ngjarjes

Në vitin 2019, asokohe presidenti Ilir Meta refuzoi të caktonte Gent Cakajn si ministrin e ri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Qeverinë Rama.

Cakaj do të pasonte Ditmir Bushatin pas një riorganizimi ministror të qeverisë shqiptare. Meta aprovoi të gjashtë kandidatët e tjerë që u propozuan nga kryeministri Rama.

“Cakaj nuk i përmbush kriteret, nuk ka besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për të ushtruar detyrat e tij në mënyrë objektive dhe me shtatin e kërkuar”, shkruante Meta.

Në një tweet pas vendimit të Metës, kryeministri Rama i kërkonte falje popullit të Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, emërimi i ministrave rregullohet nga neni 98. Një ministër emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Kryeministrit.

Kushtetuta nuk përcakton që presidenti mund të refuzojë propozimin e kryeministrit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore