Lajme

Gjykata e Tel Aviv-it refuzon peticionin e azilkërkuesve kundër ndarjes së fëmijëve në shkolla


Gjykata në Tel Aviv ka refuzuar një peticion të azilkërkuesve kundër ndarjes faktike të fëmijëve të tyre nga fëmijët izraelitë në shkolla.

Peticioni akuzonte bashkinë për dërgimin e qëllimshëm të fëmijëve të azilkërkuesve në shkolla të caktuara për t’i mbajtur ata të ndarë nga fëmijët izraelitë.

Mirëpo, gjyqtari i Gjykatës së Tel Aviv-it, Erez Yakuel, e hodhi poshtë këtë pretendim, duke thënë se paditësit nuk arritën të kundërshtonin pretendimin se fëmijët vendosen në shkollat më afër shtëpive të tyre.

Po ashtu nuk arritën të provonin se një politikë e tillë ishte jo-kushtetuese.

Peticioni u dorëzua vitin e kaluar nga azilkërkuesit, fëmijët e të cilëve ndjekin shkollat e qytetit.

Ai u nxit nga një raportim në vitin 2020 se 91.5 për qind e fëmijëve të azilkërkuesve ndiqnin shkollat pa një student të vetëm izraelit.

Për shkak të kësaj politike, thuhej në peticion, shumë fëmijë të azilkërkuesve u vendosën në shkolla larg shtëpive të tyre dhe jo në shkollat aty pranë që ndiqnin fëmijët izraelitë.

Avokatët e tyre, Haran Reichman dhe Tal Hassin, kanë thënë se është “e mërzitshme të zbulosh se gjykata ka legalizuar getot arsimore për fëmijët me ngjyrë”.

Sipas tyre, ndarja e shkollave dhe institucioneve parashkollore është diskriminuese, poshtëruese dhe krijon ndjenjën e pavlefshmërisë.

“Këta fëmijë, të cilët kanë lindur në Izrael, janë rritur atje dhe nuk po shkojnë askund, janë pjesë e shoqërisë izraelite. Do të apelojmë në Gjykatën e Lartë”, kanë shtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore