Shqipëria

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Armando Shullazit/ Vazhdon dënimin në ’41 bis’


Gjykata e Lartë e Tiranës, të mërkurën e 26 majit ka rrëzuar kërkesën e Emiliano Shullazit dhe të katër të pandehurve të tjerë, për t’u liruar nga qelia e burgut të egër “41 bis”.

Vendimi për të rrëzuar kërkesën e Apelit të Posaçëm u mor nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.

Mbrojtja muajin e kaluar bëri me dije se kanë marrë një avokate amerikane, për të monituar shkeljet që i janë bërë në gjyqet e mëparshme.

Avokatja amerikane, asokohe u shpreh se çdo person ka të drejtë për të pasur një proces të rregullt gjyqësor, duke mos shkelur të drejtat e të pandehurit.

Ndërsa avokati tjetër i Shullazit ka deklaruar se janë bërë shumë shkelje gjatë procesit në Apel. Ai pati paralajmëruar se çështja do të shkonte në Gjykatën Kushtetuese.

Duke shtuar se, pas kësaj, çështjen mund ta çojë deri në Gjykatën e Strasburgut.

Kush është Armando Shullazi?

Prej muajsh, Shullazi është i izoluar në regjimin “41 bis”, ose ndryshe burgu i egër.

Ai është dënuar në dhjetor të 2018-s me 14 vite burg për vepra të ndryshme penale.

Shullazi ndër vite është ndaluar dhe arrestuar disa herë nga policia për kërcënime dhe armëmbajtje.

Në nëntor të vitit 2011, ai u lirua nga burgu, pasi kreu dënimin prej shtatë vjetësh e katër muaj burg për trafik droge.

Për një kohë të gjatë ishte cilësuar si anëtari dhe si drejtuesi i një grupi kriminal që vepronte në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Me emrin e tij lidhen shumë ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin që prej vitit 1999.

Prej atij viti, dhjetëra të vdekur numërohen nga të gjitha anët e botës së krimit në kryeqytet.

Më të përmendurat janë vrasjet e Denis Ginës, Edgar Libohovës, Ervin dhe Ergys Borovës, Alban Danit apo Erald Harshovës.

Shullazi drejtonte atë pjesë të grupit që përbëhej nga Pajtim Serjani, Ervin Ferhati, Artan Allushi, Erges Ymeri, Artan Shabani, Selfo Driza, Ermal Gogu, të gjithë të arrestuar.

Ky grup kriminal, sipas policisë, merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vitin 2016 Emiljano Shullazi dhe Gilmand Dani u arrestuan nga forcat e komisariatit të policisë nr. 2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore