Lajme

Gjykata e Apelit në Singapor lë në fuqi dënimin me vdekje për një person me aftësi të kufizuara intelektuale


Protestat kundër dënimit me vdekje të Nagaenthran K Dharmalingam.

Gjykata e lartë e Singaporit ka hedhur poshtë ankesën e fundit të një malajziani me aftësi të kufizuara mendore kundër një dënimi me vdekje, ndërsa familja e personit në fjalë janë shprehur “të shkatërruar” dhe “të tronditur” nga vendimi.

Nagaenthran K Dharmalingam ishte arrestuar në vitin 2009 për trafikimin e një sasie të vogël heroine në qytet-shtet, i cili ka disa nga ligjet më të ashpra në botë për drogën, dhe ndaj tij u shqiptua një dënim me vdekje të detyrueshme vitin e ardhshëm.

Protestat kundër dënimit me vdekje të Nagaenthran K Dharmalingam.

Ai fillimisht ishte planifikuar të varej në nëntor, por plani ngjalli kritika për shkak të shqetësimeve për paaftësitë e tij intelektuale – vendim rreth të cilit kishin reaguar kundër, Bashkimi Evropian si dhe miliarderi britanik Richard Branson.

34-vjeçari bëri një apel përfundimtar, me avokatët e tij që argumentojnë se ekzekutimi i dikujt me aftësi të kufizuara mendore është në kundërshtim të ligjit ndërkombëtar.

Por gjykata e apelit e hodhi poshtë kërkesën, të martën e 29 marsit, pasi që kryegjyqtari i Singaporit, Sundaresh Menon ka thënë se nuk kishte “bazë faktike dhe ligjore”.

Sundaresh Menon.

“Nagaenthranit i ishte ofruar procesi i rregullt dhe mbrojtja e tij nuk kishte paraqitur asgjë që të sugjeronte se ai kishte një çështje”, tha ai, duke akuzuar avokatët e malajziasit për abuzim me procesin gjyqësor për të vonuar varjen.

Ndërkohë, M Ravi, një avokat i të drejtave të njeriut që ndihmon në këtë çështje, tha se nuk do të depozitohej më apelim dhe ekzekutimi mund të ndodhte brenda disa ditësh.

M Ravi.

“Jemi të shokuar nga vendimi i gjykatës pavarësisht se klienti im ka një IQ të ulët”, ka thënë Ravi.

“Rasti i tij i gjatë ka qenë një sprovë e tmerrshme për ne”, shtoi ai.

Drejtoresha e organizatës së fushatës kundër dënimit me vdekje Reprieve, Maya Foa ka thënë se ajo ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar për seancat dhe vendimet e nxituara në këtë rast”.

Maya Foa.

“Nagaenthrani duhet të mbrohet nga dënimi me vdekje për shkak të paaftësisë së tij intelektuale. Fakti tronditës që ai beson se po shkon në shtëpi te familja e tij dhe flet për ndarjen e ushqimeve të gatuara në shtëpi me ta tregon se ai nuk e kupton plotësisht se përballet me ekzekutimin dhe i mungon kompetenca mendore për t’u ekzekutuar”, ka shtuar ajo.

Ankesa duhej të bëhej muaj më parë, por u vonua pasi Nagaenthran u infektua me COVID-19.

Nuk ka pasur asnjë ekzekutim në Singapor që nga viti 2019, por shqetësimet po rriten se qytet-shteti po përgatitet të varë disa trafikantë droge në muajt e ardhshëm.

Protestat kundër dënimit me vdekje të Nagaenthran K Dharmalingam.

Singapori është ndër më shumë se 30 vendet në mbarë botën ku veprat penale të lidhura me drogën ende dënohen me vdekje, sipas Amnesty International.

Nagaenthran u arrestua në moshën 21-vjeçare pasi një tufë heroine që peshonte rreth 43 gram (një e gjysmë ons) – e barabartë me rreth tre lugë gjelle – u gjet e lidhur me rrip në kofshën e tij ndërsa ai kërkonte të hynte në Singapor.

Mbështetësit thonë se ai ka një IQ prej 69 – një nivel i njohur si paaftësi – dhe u detyrua të kryente krimin. Por autoritetet e kanë mbrojtur dënimin e tij, duke thënë se vendimet ligjore kishin gjetur se ai “e dinte se çfarë po bënte” në kohën e veprës penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore