Lajme

Gjukanoviç: Qeveria nuk toleron mendimin kritik dhe merr etiketat e diktaturës, totalitarizmit dhe represionit


Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, këtë të marte ka thënë se “në një shoqëri që përpiqet për përparim, kritikat ndaj qeverisë dhe kritikët ndaj qeverisë janë një forcë dhe faktor shtesë në zhvillimin demokratik”, duke kritikuar kështu qeverinë e udhëhequr nga Dritan Abazoviç, dhe presidentin Jakov Milatoviç, për mos tolerim të mendimit kritik.

“Në tre vitet e fundit, pak aktorë në skenën publike të Malit të Zi kanë ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre, kanë mprehur mendimin e tyre kritik pavarësisht sulmeve të drejtpërdrejta gjithnjë e më të shpeshta nga autoritetet, siç bënë disa OJQ, gazetarë, artistë, intelektualë”, ka shkruar Gjukonoviç në Twitter.

Ndërkaq, ish-presidenti malazez theksoi se mund të pajtohesh apo jo me vlerësimet e tyre, por gjithsesi ata duhet të respektohen.

“Ne mundemi dhe do të ishte e dëshirueshme që të kishim një dialog me ta për këtë. Por ne duhet, sidomos nëse jemi bartës të funksioneve shtetërore, të respektojmë pavarësinë e tyre dhe të sigurojmë të drejtën e tyre për të vepruar lirisht, pa kanosje dhe kërcënime. Vetëm një shoqëri e tillë malazeze do të jetë pjesë organike e familjes evropiane”, pohoi ai.

Sipas tij, mendimi kritik e bënë më të mirë një qeveri, më të përgjegjshme dhe më të aftë, dhe jo e kundërta.

“Ky mendim i sotëm padyshim nuk e duron dhe për fatkeqësinë tonë kolektive merr etiketat e diktaturës, totalitarizmit dhe represionit. Të gjitha nën kujdesin e luftës së dikujt për drejtësi, me forcë, përtej ligjit dhe standardeve demokratike”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore