Shqipëria

GJKKO lë në fuqi sekuestron e pasurive të të afërmve të Gëzim Çelës


Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi sekuestron e pasurive të të afërmve të Gëzim Çelës, i njohur si baroni i drogës.

Çela, një ish-oficer i Forcave Speciale në Shqipëri, ka qenë prej kohësh i kërkuar nga autoritetet e Tiranës, ku vite më parë çështja e tij bëri edhe bujë, pasi OFL-ja i dërgoi një formular për deklarim pasurie, duke pandehur aktivitetin e tij të shtuar në botën e krimit, kryesisht atë të trafikimit të drogës.

Aktivitetin e tij, Çela e kishte shtrirë ndërkombëtarisht, kur mendohet se kishte krijuar edhe një grup të organizuar kriminal.

Emri i tij doli në skenë sërish, kur pas përfundimit të një operacioni shqiptar koduar “Flakë në det”, u bë e mundur kapja e shefit të komisariatit të Laçit, Dritan Meta, i cili sipas një deklarate zyrtare, kishte bashkëpunuar me Çelën, Arben Dalipajn dhe Roland Guxon, në trafikimin e narkotikëve.

Kësisoj, më 9 tetor, Policia e Shtetit lëshoi një urdhër arresti për Çelën, i cili është kapur tashmë nga Policia e Kosovës.

Kush është Gëzim Çela?

Gëzim Çela është i cilësuar si ‘baroni i drogës’. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.

Fillimisht Çela u bë punonjës policie dhe më pas iu fut trafikut te heroinës.

Grupi i tij u shkatërrua në vitin 2014, kur Çela dhe Valentina Tufa kishin krijuar kontakte me shtetas të ndryshëm shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të trafikuar kokainë nga vendet e Amerikës Latine, në drejtim të Kosovës, Shqipërisë e më tej, në vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë operacionit, u arrestua në pikën kufitare të Morinës shtetasi Realt Hysolli, i cili po sillte 7 kilogramë kokainë për llogari të Çelës. Kjo ngarkesë ishte siguruar në Kosovë nga Valentina Tufa, e cila u arrestua në një banesë në një fshat në Pejë, ku u zbulua edhe një laborator për përpunimin e kokainës dhe u arrestua Veim Berisha, pronari i ambientit.

Në të njëjtën kohë, Policia shqiptare organizoi operacionin për arrestimin e Gëzim Çelës.

U bënë kontrolle në banesën e tij tre-katëshe në Fushë–Kuqe të Laçit, si edhe në apartamentin e tij, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, por nuk u bë e mundur gjetja e tij asokohe.

Çela kërkohet edhe në Itali, ku rezulton i dënuar në mungesë me 19 vjet e 9 muaj burg për disa vepra penale, trafik droge, prostitucion, armëmbajtje pa leje, favorizim të emigracionit klandestin dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore