Shqipëria

GJKKO cakton masën “arrest në burg” për ish-zyrtaren e OSHEE-së


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën “arrest në burg” për ish-zyrtaren e OSHEE-së, Albana Ferraj.

Ish-drejtoresha e kabinetit pranë OSHEE-së, u arrestua tre ditë më parë pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

48-vjeçarja dyshohet se ka marrë shumën 132 mijë euro si ryshfet, për të favorizuar një kompani italiane, lidhur me një tender të zhvilluar në vitin 2016.

Ferraj krijoi një marrëdhënie fiktive midis saj dhe kompanisë italiane duke përdorur një shoqëri të tretë me seli në Shqipëri.

Kjo, për të fshehur natyrën e kundraligjshme të këtyre parave që përfitoi përmes korrupsionit pasiv me kompaninë “Com Metodi” s.p.a.

Mbi të rëndon edhe vepra penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Albana Ferraj, gjatë kohës së zhvillimit të procedurës së prokurimit dhe zbatimit të kontratës për të cilën është kryer prokurimi ka kryer funksionin e Drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të Kabinetit në shoqërinë tregtare OSHEE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore