Bota

Gjermania në rrezik nga mutacioni i ri i Covid-19


Rreziku i një përhapjeje të shpejtë të mutacionit të ri të Covid-19 rrezikon edhe Gjermaninë. Këtë e ka bërë të ditur Kancelarja Gjermane Angela Merkel, më 12 janar.

Gjermania ndodhet para tetë deri dhjetë javëve shumë të vështira. Nëse nuk arrijmë ta ndalojmë këtë virus britanik, atëherë do të kemi  dhjetë herë më shumë raste deri për Pashkë”, ka thënë Merkel, sipas të dhënave nga disa pjesëmarrës, në takimin e ekipit të punës për Sigurinë e Grupit Parlamentar.

Kancelarja është shprehur shumë e shqetësuar për përhapjen e mutacionit të ri, shifrat e të cilit kanë pësuar një rritje të madhe në Britaninë e Madhe dhe Irlandë.

Zhvillimet në Irlandë kanë treguar shpejtësinë e përhapjes së këtij virusi. Në këtë shtet brenda një kohë të shkurtër, ka pasur një dhjetëfishim të shifrave të infektimit.

Kujtojmë se Gjermania e forcoi bllokimin kombëtar javën e kaluar dhe e zgjati atë deri në fund të janarit, mes frikës se varianti i ri i virusit mund të shkaktonte një tendosje shtesë në spitalet që e luftojnë.

Të martën, Instituti Robert Koch (RKI) për sëmundjet infektive, raportoi 12 mijë e 802 raste të reja me Covid-19. Sipas RKI-së, numri i të vdekurve nga Covid-19 është rritur me 891 raste, duke e çuar totalin e përgjithshëm të vdekjeve në 41 mijë e 577./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore