Bota

Gjermania miraton fillimin e projektit Nord Stream 2


Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka njoftuar të premten se Gjermania ka aprovuar rifillimin e punës së Nord Stream 2.

Sipas Associated Press, vendimi nga Agjencia Federale Detare dhe Hidrografike mund të apelohet. Kjo do të thotë se mund të ketë një pezullim tjetër të ndërtimit të projektit Nord Stream 2, i cili është kritikuar shumë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa vende të tjera evropiane dhe nga grupet mjedisore.

Qeveria amerikane ka argumentuar se tubacioni i Detit Baltik do ta bënte Evropën më të varur nga gazi rus dhe do të dëmtonte sigurinë e energjisë evropiane. Kremlini është përgjigjur me akuza ndaj Washingtonit se po përpiqet të promovojë shitjet e veta të gazit natyror të lëngshëm.

Projekti i tubacionit u kundërshtua gjithashtu nga administrata e ish- presidentit, Barack Obama.

Maas u shpreh se ai priste bisedime të nivelit të lartë me administratën e ardhshme, në lidhje me mundësinë e sanksioneve të reja të SHBA-së ndaj kompanive të përfshira në projektin e tubacionit.

“Natyrisht ne duam të flasim për këtë temë me kolegët tanë në Washington sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

Maas shtoi se ai nuk e dinte nëse kompanitë e përfshira në ndërtimin e tubacionit kishin plane për të rinisur menjëherë punën pas vendimit të Agjencisë Detare dhe Hidrografike.

Fillimi i projektit

Nord Stream është një sistem i tubacioneve të gazit natyror në det të hapur nga Rusia në Gjermani. Ai përfshin dy linja që drejtohen nga Rusia drejt Gjermanisë. Nord Stream është në pronësi dhe drejtohet nga Nord Stream AG, aksioneri kryesor i së cilës është kompania shtetërore ruse Gazprom.

Nord Stream 2 është në pronësi dhe do të operohet nga Nord Stream 2 AG, një degë në pronësi të plotë të Gazprom-it.

Në tetor të 2012-ës, aksionarët e projektit Nord Stream ekzaminuan rezultatet paraprake të studimit të fizibilitetit për dy linja të reja të tubacionit të gazit. Ato arritën në përfundimin se, ndërtimi i tyre ishte i mundshëm ekonomikisht dhe teknikisht. Projekti i ndërtimit të linjave të reja u bë i njohur si projekt Nord Stream 2.

Në prill të 2017-ës, Nord Stream 2 AG, nënshkroi marrëveshjet e financimit për projektin e tubacionit të gazit Nord Stream 2 me kompanitë ENGIE, OMV, Royal Dutch Shell, Uniper dhe Wintershall. Këto pesë kompani evropiane të energjisë do të sigurojnë financim afatgjatë për 50% të kostos totale të projektit.

Në shtator 2018-ës, operacionet e shtrimit të tubave filluan në Detin Baltik. Gazsjellësi i ri, do të vendosë një lidhje të drejtpërdrejtë midis kompanisë Gazprom dhe konsumatorëve evropianë. Ai gjithashtu do të sigurojë furnizimin e besueshëm të gazit rus në Evropë.

Intinerari

Pika hyrëse e tubacionit të gazit Nord Stream 2 në Detin Baltik do të jetë zona e Ust-Luga e rajonit të Leningradit. Pastaj tubacioni do të shtrihet përtej Detit Baltik. Pika e saj e daljes në Gjermani do të jetë në zonën Greifswald, afër pikës së daljes së Nord Stream-it, duke anashkaluar keshtu korridorin përcjellës të Ukrainës. Itinerari përfshin mbi 1 mijë e 200 kilometra.

Kapaciteti

Kapaciteti total i dy vargjeve të Nord Stream 2 është 55 miliardë metra kub gaz në vit. Kapaciteti i bashkuar i dizajnit, të Nord Stream dhe Nord Stream 2, është 110 miliardë metra kub gaz në vit.

Kompania e gazit natyror e kontrolluar nga shteti rus, Gazprom, ka pozicionuar një anije për të rifilluar punën, i cili u pezullua pasi një firmë zvicerane nxori anijet e saj nga projekti, pas kërcënimeve të sanksioneve amerikane. Për shkak se anija ruse është e një lloji tjetër nga ato të Zvicrës, Gjermania duhej të lëshonte autorizim të ri.

Gazprom ka njoftuar se 6% e tubacionit, ose rreth 150 kilometra, pjesa më e madhe e të cilave janë në ujërat daneze, nevojiten akoma që të kompletohet./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore