Lajme

Gjenerali që akuzohet për krime lufte në Kosovë zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, reagon kabineti i Konjufcës


Bozhidar Deliç dhe Glauk Konjufca

Deputetët e Kuvendit të Serbisë me 197 vota pro kanë zgjedhur ish-komandantin e Brigadës së 549 të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë që po akuzohet për krime lufte në Kosovë, Bozhidar Deliç si nënkryetar të Kuvendit.

E lidhur me këtë ka reaguar Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një statusi në rrjetin e tij social, duke thënë se një zgjedhje e tillë tregon qartë se Serbia nuk po dëshiron marrëveshje me Kosovën.

Zgjedhja e komandatit Deliç, sipas Kërçelit, është mesazh i radhës se politikat e Millosheviçit admirohen e fuqizohen edhe në shekullin 21.

“Se a dëshiron Serbia marrëveshje me Kosovën, tregojnë veprimet e mesazhet e njëpasnjëshme që i dërgon anëtari i qeverisë se kasapit të Ballkanit Vuçiç. Zgjedhja e komandantit Deliç i cili mori pjesë në sulmet në Kosovë të ushtrisë jugosllave si nënkryetar te parlamentit të Serbisë është veç mesazhi i radhës se politikat e Millosheviçit admirohen e fuqizohen edhe në shekullin 21”, ka shkruar ai.

Deliç ishte paraqitur si dëshmitarë i mbrojtjes në seancat në Tribunalin në Hagë në rastin e Sllobodan Millozheviçit si dhe në rastin e Vladimir Lazareviçit, i cili ishte shpallur fajtorë për krime lufte në Kosovë.

Në brigadën që e ka udhëhequr Deliç është raportuar se ka pasur edhe mercenarë rusë që kanë luftuar kundër shqiptarëve në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore