Shqipëria

GJEDNJ përjashton kërkesën e ish-ministrit shqiptar për kompensim pagash


Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur në mënyrë unanime që të përjashtojë kërkesën e bërë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, për kompensimin e pagave pas heqjes së mandatit të deputetit.

Beqja kërkonte kompensim nga shteti shqiptar pasi atij ju hoq mandati i deputetit në vitin 2011.

Në vitin 2012, ish-ministri i Shëndetësisë pati ankimuar në Gjykatën e Strasburgut vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e mandatit të tij.

Beqja pretendonte kompensim për tre vitet që iu hoqën si deputet.

Përmes një njoftimi gjykata bëri të ditur se ka kërkuar disa shkresa plotësuese, por ish-ministri nuk i kishte kthyer përgjigje.

“Për sa më sipër, dhe në mungesë të rrethanave të veçanta në lidhje me respektimin e të drejtave të garantuara  nga  Konventa  dhe  Protokollet  në  të,  Gjykata,  në mbështetje të nenit  37§1(a) të Konventës, gjykon se nuk justifikohet që të vijohet më tej me shqyrtimin e kërkesës, Për këtë arsye, Gjykata, në mënyrë unanime, Vendos ta përjashtojë kërkesën nga lista e saj e çështjeve”, shkruhet në përgjigjen e Gjykatës.

Ilir Beqja paditi në Gjykatën e Strasburgut, qeverinë e asaj kohe nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi i ishte hequr mandati i deputetit me akuzën se kishte përfituar nga fondet publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore