Lajme

“Gjatë këtij viti” do të zgjidhet problemi i mungesës së Noterëve në Kosovë


Ilustrim

16 nga 38 komuna në Kosovë nuk kanë zyre noterie brenda territorit të tyre.

Në mungesë të Noterëve banorët e qytetit të Obiliqit, detyrohen të vijnë në Prishtinë për të marrë shërbime noterie.

Dhe ky fenomen nuk është i panjohur për Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë.

“Komunat pa noterë, respektivisht qytetarët e këtyre komunave shërbehen me shërbime noterie në komunën tjetër më të afërt që ka noter”, ka thënë Flamur Pireva, zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë për Albanian Post.

Përveç Obiliqit, aktualisht pa noterë janë edhe komunat: Istog, Rahovec, Skenderaj, Malishevë, Junik, Han i Elezit, Mamushë, Ranillug, Kllokot, Partesh, Kamenicë, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Por Pireva nuk ka ndonjë datë për të treguar se kur banorët e këtyre vendeve do të mund të marrin shërbim të tilla në komunat e tyre.

“Ndërsa, emërimi i noterëve në komunat përkatëse pa noterë, ato me nga vetëm një noter, si dhe komunat që kanë nevojë për më tepër noterë, do të bëhet pas procesit të ri të provimit të noterisë, përkatësisht gjatë këtij viti”.

Edhe pse nuk e di se kur ky proces do të ndodhë, megjithatë Pireva është i bindur se do të zgjidhë këtë problem njëherë e mirë.

“Pas procesit të ri të provimit të noterisë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për plotësimin e numrit të noterëve në nivel vendi dhe ashtu siç e përcakton ligji në fuqi”, tha Pireva për AP.

Flamur Pireva, zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë

Konkursi i fundit për noterë në Kosovë është shpallur në vitin 2019, por është anuluar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të vitit 2020, gjatë mandatit të saj të parë si ministre. Si arsyetime janë paraqitur dyshimet për keqpërdorime në testin e noterisë.

Haxhiu pati deklaruar se “shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë”.

Paraardhësi i saj, ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i kishte hedhur poshtë këto akuzat, duke thënë se “procesi i përzgjedhjes së noterëve ka qenë i rregullt”.

Provimit të noterisë në qershor të vitit 2019 i janë nënshtruar rreth 600 kandidatë, ndërsa 235 prej tyre e kanë kaluar me shkrim, për të vazhduar më pas në provimin me gojë.

Një muaj pas anulimit të konkursit, dhjetëra kandidatë të cilët kishin kaluar këtë test, kanë ngritur padi kundër Ministrisë së Drejtësisë në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykimi i rastit të anulimit të konkursit të noterisë ka përfunduar në fillim të këtij muaji dhe Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të dalë shpejt me vendimin.

Nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, në krye të së cilës është Haxhiu, nuk japin ende detaje se si do të procedojnë tutje.

Noterizimi është proces zyrtar i parandalimit të mashtrimeve, që siguron palët e përfshira në një marrëveshje apo transaksion, se dokumenti i tyre është autentik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore