Lajme

Gjashtë vjet nga vrasja e Ivanoviç-it


Oliver Ivanoviç.

Të martën e 16 janarit, janë shënuar gjashtë vjet që nga vrasja misterioze e politikanit serb, Oliver Ivanoviç-it.

Në përvjetorin e pestë të vdekjes së tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte kërkuar drejtësi për vdekjen e liderit të Iniciativës Qytetare SDP, duke kujtuar edhe mënyrën e vrasjes së tij.

“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviç u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, ka shtuar tutje kreu i ekzekutivit.

Kërkesë e tij, ka qenë angazhimi i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.

“Vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviçin, por edhe pluralizmin politik te serbët”, kishte potencuar Kurti.

“Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviçit”.

Oliver Ivanoviç, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Deri ku ka arritur hetimi për vrasjen e Ivanoviçit?

Oliver Ivanoviç, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Aktakuzë është ngritur kundër Nedelko Spasojeviç (oficer policie), Marko Roshiç (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviç (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviç), Dragisha Markoviç (oficer policie), Zharko Jovanoviç (oficer policie) dhe Rade Basara (oficer policie).

Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiç (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Milan Radoiçiç (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviç (biznesmen).

Ndaj këtyre personave nuk është ngritur aktakuzë pasi ata ishin në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.

Oliver Ivanoviç.

Në aktakuzë përmenden Radoiçiç dhe Vesellinoviç si “udhëheqës të një grupi kriminal” që planifikoi vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviç.

Më 2019, Kosova lëshoi një urdhërarrest për Radoiçiçin nën dyshimin se kishte lidhje me vrasjen e Ivanoviçit.

Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiçin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në Veri të Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviçit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Më 11 janar, Gjykata Themelore në Prishtinë, në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç ka aprovuar propozimin e avokatit Faruk Korenica për dëgjimin e pesë dëshmitarëve.

Më 10 janar, ishte anuluar seanca për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ishte paralajmëruar për këtë të marte të 10 janarit, me kërkesë të mbrojtësit të Nedeljko Spasojeviçit, Faruk Korenica.

Seanca fillestare në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviç’ot, ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për tu deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Pas firmosjes së marrëveshjes së Brukselit, Serbia dhe Kosova filluan normalizimin e raporteve.

Nga kjo kohë qasja e Ivanoviç në politikë ishte moderuar. Në vitin 2014 ai u akuzua për krime lufte dhe u burgos.

Në 2016-ën, u dënua me nëntë muaj burgim nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë – EULEX. Ndërkohë në vitin 2017, Gjykata e Prishtinës e anuloi këtë vendim duke e liruar politikanin serb dhe duke rinisur një proces të ri.

Gjatë kësaj kohe, Ivanoviç mori kërcënime të shumta, deri në çastin e vrasjes së tij, në janar të 2018-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore