Kosova

Gërvalla thirrje faktorit ndërkombëtar: Serbia duhet të përballet me pasoja – mos e nënvlerësoni më Vuçiçin


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Dipasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka bërë thirrje që bashkësia e organizuar ndërkombëtare t’i vendosë sanksione Serbisë, pas evidentimit të përfshirjes direkte të regjimit serb në sulmet terroriste të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit të banuar kryesisht me serbë etnikë, ku u vra një rreshter i Policisë së Kosovës.

SheFja e diplomacisë kosovare, derisa ka shpërndarë në platformën “X” postimin e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, ku jepen pamjet e filmuara nga droni që dëshmojnë se grupi terrorist është organizuar e mbështetur nga Serbia, ka shkruar se presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, duhen t’i dërgohen “sinjale të qarta” për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë.

“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të vendosë sanksione ndaj regjimit të Vuçiçit. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe të përballet me pasoja. Vetëm sinjalet e qarta kundër regjimit të Vuçiçit do të ndalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë që të mos e nënvlerësojnë më rrezikun e madh”, ka shkruar kryediplomatja Gërvalla.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët për media me Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka zbuluar prova të reja që dëshmojnë se Serbia, sipas tij, u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u stërvitën për një kohë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe në Serbi.

Sveçla ka njoftuar se përmes pamjeve të siguruara nga dronët e sekuestruar përgjatë aksioneve policore ditëve të fundit, vërtetohet se përgatitjet për sulmin e 24 shtatorit janë bërë në qendrat e trajnimit në Serbi, përkatësisht në zonën e gjerë të Kopaonikut, në afërsi të kufirit me Kosovën, në një pronë të Milan Radoiçiçit, kryekriminelit serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore