Lajme

Gërvalla s’është pishman për dëshmitë në Speciale


Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka dërguar materiale – çfarë do qofshin ato – në Gjykatën Speciale dhe do ta bënte përsëri.

“Dje, sot, por edhe nesër”, ka thënë shkurt ajo, si përgjigje për akuzat që iu bën në lidhje ne një deklarim të vitit 2017, kur thoshte se “brenda mundësive që kam, patjetër se do të dërgoj materiale”, madje “disa me shkrim i kam dërguar”.

Gërvalla aludonte se ka prova me shkrim, “të mbyllura në zarf”, në të cilat, sipas saj, kishte dëshmi për vrasje të pasluftës dhe në këto vrasje implikoheshin ish-krerë të luftës së fundit në Kosovë.

Intervista e Gërvallës dhënë atë kohë për TV Dukagjinin, u aktualizu rishtazi, pasi Kosova nuk po garanton për lirimin me kusht të Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ndërsa Gërvalla është ministre e Punëve të Jashtme.

Për më tepër, Kurti, sa ishte në opozitë, thoshte se kur Vetëvendosje do të vije në pushtet, ajo nuk do t’i dorëzonte asnjëherë në Hagë – ku Specialja e ka selinë – të akuzuarit potencialë.

Por, ministren e Jashtme nuk e kanë zmbrapsur kritikat. Atyre iu përgjigj edhe me një status në llogarinë e saj në Facebook, duke e konsideruar se bashkëpunimi i saj me Specialen është kërkesë e saj “për drejtësi”.

“Asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit”, shkruan ajo.

Gërvalla pohon se “heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh”, derisa thotë se sa i përket Gjykatës Speciale, thjesht po respekton atë që Kuvendi i Kosovës ka votuar.

“Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim”.

Pozicionin e Gërvallës edhe si ministre e jashtme, por edhe si një person që ka dorëzuar materiale kundër të akuzuarve në Hagë, e ka konsideruar si absurd, Ilir Gashi, zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe përfaqësues i kësaj partie për tri mandate në Komisionin Qendror Zgjedhor.

“Nëse ministrja aktuale nuk kërkon falje publike për deklaratat e sajë, ne raport me bartësit e UÇK-së, dhe deklarimi i sajë se do të deponojë material në Gjykatën Speciale, ajo në asnjë mënyrë nuk mund të përfaqësojë Kosovën si ministre e jashtme në rrafshin ndërkombëtar”, ka thënë Gashi për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore