Lajme

Gërvalla pjesëmarrëse në ministerialin BE – Ballkani Perëndimor: Sulmi i Serbisë në Kosovë ndryshon gjithçka për rajonin


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, ka konfirmuar pjesëmarrjen në kuadër të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE) dhe Ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, ku pritet të adresohen sfidat aktuale gjeopolitike, posaçërisht nën trysninë e ngjarjeve të fundit.

Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se sulmi i paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ka dëshmuar urgjencën kundrejt kërcënimeve të sigurisë, posaçërisht nën trysninë e ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë.

“Sot do të marr pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe sigurinë në Evropë. Për Kosovën dhe rajonin, sulmi paramilitar i 24 shtatorit nga Serbia ndryshon gjithçka dhe dëshmon urgjencën e përballjes me kërcënimet e mëdha të sigurisë”, ka shkryar kryediplomatja kosovare në platformën “X” të hënën.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, këtë javë do të kryesojë takimin ministror BE – Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku do të jenë gjashtë ministrat e jashtëm të rajonit. Ministeriali BE – Ballkani Perëndimor në kuadër të kryediplomatëve, sipas njoftimit, pritet të fillojë nga ora 17:30 pasdite.

Kryediplomatët rajonalë në Bruksel, në fokus edhe dialogu Kosovë-Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore