Kosova

Gërvalla pas dështimit në KiE: Oferta jonë për ta shkruar draftin e statutit s’vlen më


Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se pasi Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj nuk ka shqyrtuar fare anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, propozimi i Kosovës për të përpiluar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për të dërguar atë deri në fund të muajit maj në Kushtetuese për shqyrtim e ka humbur “aktualitetin dhe relevancën”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka shkruar Gërvalla në platformën sociale, Facebook.

Duke komentuar vendimin e Komitetit të Ministrave, Gërvalla ka vlerësuar se qëndrimi i tyre është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pasi Kosovës i është vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar.

Ndër të tjera Gërvalla ka potencuar se disa vende anëtare me mos-pranimin e Kosovës në KiE zgjodhën “t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës”.

“Duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”.

Në fund Gërvalla ka vlerësuar se autoritetet kosovare nuk kanë lënë gur pa lëvizur për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet, edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë”.

Arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore