Lajme

Gazetarët në Banja Llukë protestojnë, Dodik shtyn përpara ligjin për censurim


Gazetarët duke protestuar

Për ta kundërshtuar nismën e presidentit autoritar të Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili përmes ligjit dëshiron që ta dënoj kinse shpifjen – përfaqësues të shoqatave gazetareske dhe qytetarë të tjerë kanë protestuar në Banja Llukë, pak para fillimit të seancës së parlamentit të Republikës Srpska.

Kundër kësaj nisme, përveç shoqatave gazetareske dhe shoqërisë civile, ka dalur edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në BeH – ku kërkuan që ky ligj “të tërhiqet menjëherë nga procedurat e mëtejme”.

“Përfaqësuesit e shoqatave të gazetarëve nga Republika Srpska u mblodhën përpara selisë së parlamentit të entitetit serb në prag të seancës, duke protestuar edhe një herë për ndryshimet e propozuara në ligjin penal, të cilat parashikojnë dënime deri në 50 mijë euro”, transmeton media kroate Index.

“Le të vazhdojnë vetë përfaqësuesit të merren me gazetari se ligji represiv do ta mbyllë atë”, ka qenë kjo thirrje e një gazetari si kundërpërgjigje ndaj kësaj nisme që cenon lirinë e fjalës.

Gazetarët lanë lapsa të thyer para hyrjes së selisë së parlamentit dhe kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Banja Llukës, Sinisha Vukeliç, tha se “po u dërgojnë një mesazh simbolik përfaqësuesve (deputetëve) se duhet të vazhdojnë të angazhohen në gazetari sepse “ligji represiv”, nëse miratohet, sigurisht që do ta mbyllë atë”.

“I ftojmë të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre dhe kundër këtij lloj ligji”, shtoi më tej Vukeliç.

Kreu i Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Johann Sattler, dërgoi një kërkesë në adresat e zyrtarëve më të lartë në Republikës Srpska përpara seancës parlamentare, në të cilën ai kërkoi tërheqjen e ndryshimeve të propozuara në kodin penal, duke shprehur “shqetësim të thellë” për gjithçka që ato përmbajnë.

Shefi i Delegacionit të BE-së thekson se BE-ja tashmë është e shqetësuar për sjelljen e politikanëve në BeH, të cilët edhe tani, duke iu drejtuar padive, i frikësojnë gazetarët dhe përpiqen t’i detyrojnë ata të autocensurojnë.

“Kriminalizimi i shpifjes vetëm do ta përkeqësonte një situatë tashmë të keqe”, vlerësoi Sattler.

Ndërkaq, presidenti autoritar i entitetit serb në BeH, Milorad Dodik, mbron fuqishëm projekt-amendamentet në kodin penal të Republikës Srpska dhe nuk dëshiron të ia dijë për kundërshtimet e BE-së.

“Po na japin leksione se duhet të bëjmë diçka evropiane”, tha Dodik para seancës parlamentare, duke pohuar se ka njerëz që në interes të “shërbimeve të huaja” prezantojnë të pavërteta dhe shpifje në hapësirën publike, ndaj duhet të pengohen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore