Lajme

Gashi në dy vjetorin e punës së Qeverisë: Ju as nuk jeni njerëz, as nuk dini dhe as nuk mundeni të qeverisni


Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, për punën dy vjeçare të Qeverisë së Kosovës ka vlerësuar se ka pasur vetëm dëmtime për qytetarët.

Rritja e tatimit në pronë, rritja e importeve nga Serbia janë vetëm dy gjërat që tregojnë për mospunën e Qeverisë.

“Sot po flasim fatkeqësisht për dështimet dy vjeçare të zotërit Kurti dhe për qeverisjen e tij të dobët. Nëse flasim për ekonominë, zotëri Kurti tha se do të vendosim reciprocitet për Serbinë dhe kjo është çështje ditësh assesi javësh apo muajsh rezultati sot është 370 milionë euro importe nga Serbia”.

“Kur flasim për ekonominë, zotëri Kurti harron ta përmend se e ka rritur tatimin në pronë 100 për qind, në fakt kjo është e vetmja arritje të cilën nuk e kishte premtuar zotëri Kurti, nuk ka premtuar që do ta rris tatimin në pronë, por e ka rritur”.

Gashi, ka shtuar se për qytetarët jeta është bërë më e rëndë.

“Pra, jua ka vështirësuar jetën qytetarëve të Kosovës duke paguar më shumë dhe këto duke mos i kthyer kurrë si investime”, ka thënë Gashi.

Teksa, për investimet kapitale ka sqaruar se vazhdojnë të jenë në rënie.

“Investimet kapitale në nëntë muajt e parë kanë qenë vetëm 11 për qind, a e dini se i keni bllokuar 800 milionë euro buxhetit në kohën kur vendi dhe qytetarët kishin nevojë më së shumti për t’u përballur me krizë”.

Kritika ka pasur edhe për mosemërimin e bordit të Trustit dhe për funksionimin e institucioneve me ushtrues detyre.

“Ju mburreni se po e shkelni ligjin dhe po e leni Trustin pa bord. Ushtrues detyre gjithandej, pothuajse të gjitha ministritë me ushtrues detyre, paaftësi qeverisëse dhe tendencë e lartë e manipulimit me abuzimit të pushtetit. Ju as nuk jeni njerëz dhe as nuk dini dhe as nuk mundeni të qeversini sepse jeni të mbushur me urrejtje ndaj atyre që dinë dhe mundën”.

Ai tutje ka thënë se kanë ikur mbi 100 mijë qytetarë sepse qeveria “ua vrau shpresën”.

Gashi kritika pati edhe për shëndetësinë dhe mosemërimin e ministrit për 8 muaj, ndërsa theksoi se që nga koha e qeverisjes së tyre janë ndërruar 3 ministra.

Për drejtësi tha se do të bëni Vetting, por “komisioni i Venecias iu dha karton të kuq”.

Pavarësisht kritikave të opozitës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dy vjetorin e udhëheqjes në Qeveri e ka konsideruar si të suksesshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore