Lajme

Garçeviç: Trumpi mund ta rikthejë idenë e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi


Vesko Garçeviç

Vesko Garçeviç, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, në një prononcim për Radio Evropa e Lirë të dielën, vlerësoi se bashkë me rikthimin e Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), mund të rikthehet edhe ideja e shkëmbimit të territoreve apo ripërcaktimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Garçeviç, ish-ambasador i Malit të Zi në NATO, theksoi se nga një mandat i dytë i Trump, gjithmonë nëse fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të vitit 2024, nuk mund të pritet që SHBA-ja të vazhdojë të punojë në sienergji me Bashkimin Evropian (BE) në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy fqinjëve armiqësorë.

“Ajo që mund të presim është që SHBA-ja, për shembull, të dalë me planin e vet për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Një prej ideve, që është hequr nga tryeza disa vite më parë, por mund të kthehet në agjendë, është shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë”, konsideroi Garçeviç, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor.

Në pjesën veriore të Kosovës, komunat e banuara kryesisht me serbë etnikë, përpiqen të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia, ndërsa perspektiva e ndarjes apo këmbimit të territoreve ngrihet herë pas here në debatet publike. E idenë e ripërcaktimit të kufijve në vija etnike e kanë dhënë edhe shumë diplomatë e studiues perëndimorë.

Shkëmbimin e territoreve e kishte spikatur ish-presidenti kosovar, Hashim Thaçi, nën idenë fillestare që katër komunat në veriun e Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku – do t’i bashkëngjiteshin Serbisë, kurse tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – do t’i bashkoheshin Kosovës.

Ish-këshilltari i Reaganit propozon “shkëmbim territoresh” për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore