Lajme

“FT”: Serbia do t’i japë leje Rio Tintos për ndërtimin e minierës së litiumit


Ilustrim

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është duke u përgatitur t’ia japë Rio Tintos dritën jeshile për ndërtimin e minierës më të madhe të litiumit në Evropë, dy vjet pasi Beogradi e anuloi projektin për shkak të protestave lokale, raportoi gazeta britanike “Financial Times” të dielen.

Vuçiç deklaroi për prestigjozen britanike se “garancitë e reja” të gjigantit botëror të minierave, por edhe të Bashkimit Evropian (BE), duket se do t’i adresojnë shqetësimet e theksuara të Serbisë, nëse standardet e nevojshme mjedisore do të plotësohen në luginën perëndimore të Jadarit.

Përkundër se ekonomia e Serbisë është relativisht e vogël, shteti serb posedon një nga depozitat më të mëdha të litiumit në kontinentin evropian – mineral kyç për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike, të cilat mundësojnë që makinat të mos përdorin naftë e benzinë.

Presidenti i Serbisë njoftoi se miniera mund të hapet në vitin 2028, duke shtuar se ajo parashikohet t’i prodhojë 58 mijë tonë litium në vit, gjë që do të mjaftonte për prodhimin e 1.1 milion veturave elektrike. “Unë besoj se kjo mund ndryshojë lojën për Serbinë dhe të gjithë rajonin”.

Ndryshe, në vitin 2022, qeveria serbe e tërhoqi licencën për projektin e Rio Tintos në vlerë 2.4 miliardë dollarë, pas protestave masive. Përgjatë vitit 2021 dhe 2022,  aktivistët mjedisorë të Serbisë i mblodhën 30 mijë nënshkrime në një peticion për ndaljen e kërkimeve për litium në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore