Lajme

Frymëmarrja e Kosovës lehtësohet nëse Kaja Kallas vjen në krye të diplomacisë së BE-së


Albin Kurti dhe Kaja Kallas

Rikonfigurimi në udhëheqjen e institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) pas ciklit zgjedhor në qershor të këtij viti e veçanërisht, emërimi potencial i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, në krye të diplomacisë evropiane, konsiderohet të jetë lajm shumë pozitiv për Kosovën në kontekstin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.

Emri i Kallas për pozitën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, aktualisht nën udhëheqjen e diplomatit spanjoll, Josep Borrell, përmendet shumë në korridoret diplomatike, kryesisht për shkak të një faktori të rëndësishëm: në dritën e luftës në Ukrainë, shumë mendojnë se një nga pozitat kryesore të BE-së duhet t’i besohet evropiano-lindorëve.

Pas ciklit zgjedhor për Parlamentin Evropian (PE) në qershor, pozitat kryesore të BE-së do të shpërndahen midis grupeve kryesore politike dhe pozita e kreut të diplomacisë evropiane vlerësohet të ketë ndikim të madh për Kosovën – nëse Kallas e gjen veten në pozitën e shefes së diplomacisë, atëherë ajo do të ishte e mirëseardhur në krye të institucionit kyç të BE-së.

Drejtori i Institutit “Musine Kokalari” për Politika Sociale, Visar Ymeri, duke marrë për bazë marrëdheniet e mira midis Kosovës dhe Estonisë, por edhe qëndrimet parimore të kryeministres estoneze krahas fushatës agresive të Rusisë kundër kombeve të vogla ballkanike, vlerëson se Kallas do të ishte person jashtëzakonisht i përshtatshëm për Kosovën në rrethanat aktuale.

“Ky do të ishte lajm shumë i mirë, duke marrë parasysh jo vetëm marrëdhëniet shumë të mira që Kosova ka pasur historikisht me Estoninë, përfshirë Kallas, por edhe qëndrimet tejet të vendosura e parimore karshi influencës negative që Rusia ushtron nëpër rajone të ndryshme të Evropës, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor”, nënvizon sociologu kosovar.

Që nga fillimi i agresionit rus, mbështetja e Estonisë për Ukrainën ka qenë e paprecedentë. Kjo është nxitur kryesisht nga bindja e Kallas se forca ushtarake nuk duhet të përdoret për të pushtuar vendet fqinje në shekullin e 21-të. E duke e gjetur veten nën “hijen kërcënuese” të Rusisë, shefja e qeverisë estoneze mund t’i kuptojë më thellë ambiciet territoriale të Serbisë.

“Duke marrë parasysh historinë e Estonisë – një vend i pushtuar nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) dhe e kërcënuar vazhdimisht nga Rusia – Kallas i kupton shumë më thellë problemet që mund të paraqiten nga një fqinj i lidhur ngushtë me politikën, ushtrinë, inteligjencën e mediat e Rusisë sikurse është Serbia”, potencon Ymeri.

Josep Borrell dhe Mirosllav Lajcak

Nga ana tjetër, eksperti i politikës së BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC), Toby Vogel, vlerson se ekzistojnë pak gjasa që Franca dhe Gjermania të miratojnë që kryediplomatja e bllokut të vije nga shtetet baltike pikërisht për shkak të Rusisë, ndërsa kujton se ishin francezët dhe gjermanët që injoruan paralajmërimet baltike për planet ruse.

“Parisi dhe Berlini duan të shmangin mesazhin e ashpër që kjo do t’i dërgonte Moskës. Të mos harrojmë se paralajmërimet baltike për ambiciet perandorake të Rusisë u hodhën poshtë për shumë vite nga Franca dhe Gjermania. BE-ja do të përpiqet të emërojë një kryediplomat nga një vend që nuk ka shumë ndikim në politikën e jashtme”, vëren Vogel.

Dy nga tre krerët e fundit të diplomacisë evropiane kanë qenë gra (Catherine Ashton nga Britania e Madhe dhe Federica Mogherini nga Italia), përpara se socialisti 75-vjeçar nga Spanja të merrte postin e kryediplomatit pas zgjedhjeve të fundit të BE-së në vitin 2019. Borrell ndërmjetëson edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Borrell, por edhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shpesh e gjejnë veten nën sulmet verbale të zyrtarëve institucionalë në Kosovë. Një nga kritikat kryesore ndaj Borrell është se ai bashkë me Lajçak vijnë nga dy vende evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, dy vende anëtare të BE-së – Spanja dhe Sllovakia.

BE-ja duhet të shmangë gabimin e bërë në vitin 2019, deklaron Vogel, ndërsa shton se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk mund të prodhojë rezultate nën lidershipin aktual, ndonëse një “marrëveshje historike” u arrit nën ndërmjetësimin e Borrell në fund të shkurtit të vitit të kaluar në Bruksel, pastaj në mes të marsit në Ohër.

“Dialogu nuk mund të japë rezultate në formatin aktual dhe nën udhëheqjen aktuale. Pra, një format i ri – ndoshta Përfaqësuesi i Lartë do të përfshihet drejtpërdrejt në bisedime, sikurse më parë – do të ishte i mirëseardhur”, thotë ai, ndonëse druhet se mund të jetë vonë, veçanërisht nëse Donald Trump rikthet në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Por asnjë nga këto nuk do të ketë shumë rëndësi nëse nuk rishikohen gjithashtu politikat nga ana e BE-së dhe SHBA-së, një vështrim serioz për atë që shkoi keq gjatë dekadës së fundit apo më shumë, dhe madje kjo nuk do të ketë rëndësi në rastin e një administrate të dytë të Trump”, shton ndër të tjera Vogel – një prej vëzhguesve eminentë të zhvillimeve politike në rajon.

Një mandat i dytë i Trump, gjithmonë nëse fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të 2024, kombinuar nga një fitore paraprake e së djathtës ekstreme evropiane në zgjedhjet e qershorit, mund të ndryshojë për të keq pozicionin aktual të Kosovës edhe për Ymerin, derisa viti zgjedhor i gjen shumicën e përfaqësuesve në kërkim të mundësive të reja brenda BE-së.

Kryeministrja e Estonisë, dikur kandidate për të pasuar Jens Stoltenberg në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ndonëse mund të lehtësojë frymarrjen e Kosovës në optikën e re gjeopolitike nga posti i kryediplomates së bllokut, sikurse secili kryediplomat tjetër, duhet t’i ndjek udhëzimet dhe vullnetin politik të vendeve anëtare të BE-së.

Përkundër se është ende herët për të pasur vlerësime të qarta, duke qenë se përbërja e institucioneve do të dihet në vjeshtën e vonë, rikonfigurimi i raportit të forcave do të ndryshojë dinamikën kontinentale e cila jo-domosdoshëmrisht shkon në favor të kosovarëve. Kosova shpejt do ta gjejë veten në rolin e spektatores së zhvillimeve politike brenda BE-së.

Zgjedhjet në BE/SHBA zbehin perspektivën e dialogut – mund të prodhojnë rezultate të pafavorshme për Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore