Shqipëria

Fredi Beleri fitoi, çfarë ndodh tani


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaronte një ditë para zgjedhjeve vendore se nga pikëpamja ligjore kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri do mund të votohej edhe pse ishte arrestuar.

“Arrestimi i Belerit nuk është aspak një gjë që shkon për mirë. Nuk kam koment pasi kjo lidhet me organet e drejtësisë, por nga pikëpamjet e ligjit ai mbetet kandidat dhe votuesit mund ta votojnë nëse duan. Ai nuk është i ndaluar nga gara edhe pse nuk është fizikisht aty”, theksonte fillimisht kryekomisioneri.

Sipas tij, gjërat mund të ndryshonin vetëm nëse Beleri dënohej me një vendim të formës së prerë për një vepër penale.

“Gjërat ndryshojnë vetëm nëse ai dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale që nuk lejohet të kandidosh nga ligji i dekriminalizimit”, sqaroi Celibashi.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë u bë kryebashkiaku i parë në historinë e zgjedhjeve vendore në Shqipëri që zgjidhet teksa ndodhet i arrestuar.

Por si do të procedohet mandati i tij?

Ligji për qeverisjen vendore vëren se procedura që pritet të ndiqet për marrjen e mandatit është e tillë: brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultatit mandati verifikohet nga Gjykata (Dhoma Civile).

Beleri nuk ka një vendim dënimi të formës së prerë dhe pritet që gjykata ta shpallë të vlefshëm mandatin e tij.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak bëhet betimi dhe më pas mund të konsiderohet kryetar bashkie.

Nëse Beleri mbetet në burg brenda tre muajve të ardhshëm dhe nuk do të paraqitet për betimin, Këshilli Bashkiak mund të kërkojë shkarkimin e tij, në bazë të pikës C të nenit 62 të ligjit.

Për këtë, Partia Socialiste zotëron 9 mandate në Këshillin Bashkiak të Himarës.

Mundësia tjetër që Beleri nuk mund të mandatohet është ajo e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.

Referuar nenit 115 të Kushtetutës, Qeveria mund të shkarkojë një kryebashkiak për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve.

Për këtë, Këshillit të Ministrave do t’i duhej të merrte një vendim vetëm pasi Beleri të betohej dhe të bëhej kryebashkiak.

Precedentë të mëparshëm të kryebashkiakëve të akuzuar dhe më pas të shkarkuar me vendim qeverie pa pritur vendimin e gjykatave ka disa.

Të fundit ishin Fatos Tushe i Lushnjës dhe Lefter Alla i Bulqizës, por që të dy nuk u ankuan në Kushtetuese.

SPAK i akuzon të dy ish-zyrtarët për korrupsion me tenderat dhe shpërdorim detyre.

Qeveria nuk priti vendime të formës së prerë të drejtësisë për t’i shkarkuar.

Rasti i Belerit është i ngjashëm me atë të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, pasi të dy akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.

Kujtojmë që gjykata e Vlorës ia përcolli më herët dosjen SPAK-ut, prandaj, më së pari fjala i takon drejtësisë dhe verdiktit të saj për kryebashkiakun e ri të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Beleri, dhurata më e madhe që shteti i bëri Greqisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore