Lajme

Forcat ruse tërhiqen nga Ishulli i Gjarprit, sipas Moskës


Ministria e Mbrojtjes Ruse ka deklaruar se forcat e saj janë tërhequr nga Ishulli i Gjarprit, një vend shumë i kontestuar në Detin e Zi, të cilin Rusia e pushtoi menjëherë pas ndërhyrjes ushtarake në shkurt në Ukrainë.

Moska e ka cilësuar masën si një përpjekje për të krijuar një korridor humanitar për eksportin e produkteve bujqësore nga Ukraina. Zyrtarët në qytetin portual të Odesa-s në jug të Ukrainës, megjithatë, thanë se trupat ruse ishin evakuuar pas sulmeve me raketa dhe artileri.

Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer 144 të burgosur secili. Gjatë këtij aksion u kthyen disa luftëtarë ukrainas që mbronin fabrikën e çelikut Azovstal gjatë një rrethimi brutal përpara se Rusia të merrte kontrollin e Mariupolit.

Ndërkohë, forcat ruse po vazhdojnë operacionet e tyre sulmuese rreth Lysychansk në Ukrainën Lindore, ku guvernatori rajonal Serhiy Haidai tha se 15 mijë civilë mbeten, ndërsa përpjekjet për evakuim vazhdojnë.

“Vetë qyteti është nën zjarr të vazhdueshëm”, tha Haidai.

Beteja për Ishullin e Gjarprit

Më 24 shkurt, autoritetet raportuan se trupat ruse kishin pushtuar ishullin ukrainas të Detit të Zi, Zmeiny, ku mbetën të vrarë 13 roje kufitare.

Dy luftanije ruse iu afruan ishullit, kryqëzori Moskva dhe korveta patrulluese Vasily Bykov.

Ata u ofruan luftëtarëve të çetës kufitare Izmail, të vendosur në ishull, të dorëzoheshin. Ata refuzuan.

Sipas një regjistrimi në radio të një dialogu mes tyre, rojet kufitare ukrainase kanë marrë një mesazh.

“Unë jam një anije luftarake ruse. Propozoj të lini armët dhe të dorëzoheni për të shmangur gjakderdhjen dhe viktima të pajustifikuara. Përndryshe, do të bombardoheni dhe sulmoheni. A e kuptuat, marrje?”.

Ndërsa përgjigjja e ukrainasve u bë virale, teksa i thanë anijes ruse “të shkonte në djall”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore