Sport

Flamengo synon të krijojë një rrjet global skuadrash


Klubi brazilian i Flamengo-s po kërkon të krijojë një rrjet global me skuadra nga disa vende të ndryshme. Një gjë të tillë e kanë bërë “Red Bull” dhe “City Football Group”.

Deri në fund të vitit 2021, klubi brazilian kërkon të përfundojë blerjen e klubit portugez të Tondela-s.

“Globo Esporte”, portali brazilian zbulon se synimi është që për tre vjet, Tondela të përfshihet në gjashtë skuadrat më të mira të ligës portugeze.

Flamengo synon të blejë klube, përveç atij në Portugali edhe në Francë, Gjermani, SHBA, Afrikë dhe Kinë. Pa hequr mundësi të tjera ku mund të investojë.

Për momentin fokusi kyresor është Tondela, për të cilën janë gati të ofrojnë 50 milionë euro.

Rodrigo Tostes

“Ky është vetëm hapi i parë. Kjo strategji nuk do të funksionojë nëse është vetëm një klub jashtë Brazilit”, tha Rodrigo Tostes, menaxheri financiar i Flamengo-s.

“Ne duam të kemi një klub në Gjermani, një në Spanjë, një në Francë, një në Afrikë, një në Kinë, një në Shtetet e Bashkuara, me fjalë të tjera, nuk është një projekt me një klub”, shtoi ai.

Ndër faktorët që e shtynë Flamengo-n të shikojë drejt Portugalisë, është fakti se mes viteve 2011 dhe 2020 klubet portugeze shënuan bilancin më të mirë në treg me +2.9 miliardë dollarë, përpara Brazilit, me 2 miliardë dollarë.

Tre klube portugeze kryesojnë renditjen e bilanceve neto në transfertat ndërkombëtare gjatë 10 viteve të fundit: Sporting-u, Benfica dhe Porto.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore