Lajme

Fjalimi i fundit i Boris Johnson si kryeministër


Boris Johnson ka mbajtur fjalimin e tij të fundit si kryeministër ndërsa pasardhësja e tij Liz Truss përgatitet të shpallë ekipin e ri qeverisës.

Udhëheqësi në ikje i Konservatorëve tha “kaq ishte njerëz” ndërsa filloi fjalimin e tij përshëndetës në Downing Street.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar fjalën e ish-kryeministrit.

“Kjo ishte e gjitha, njerëz. Faleminderit të gjithëve që dolët kaq herët këtë mëngjes. Pas vetëm disa orësh do të jem në Balmoral për të parë Madhërinë e Saj Mbretëreshën dhe stafetën që më në fund do t’i kalojë një udhëheqësi të ri konservator”, theksoi Johnson.

Ai shtoi se stafeta u dorëzua por u ndryshuan rregullat e garës në gjysmë të rrugës.

Johnson garantoi gjatë fjalës së tij se do të ofrojë “mbështetje të zjarrtë” për qeverinë Truss gjatë një “kohe të vështirë” për familjet në të gjithë vendin.

Ish-kryeministri nënvizoi se “furnizimi i hershëm i armëve për Forcat e Armatosura heroike të Ukrainës” mund të “kenë ndihmuar shumë në ndryshimin e rrjedhës së luftës më të madhe evropiane të 80 viteve të fundit”.

Ai lavdëroi qeverinë e tij për “lëvizjen e kësaj ekonomie nga korriku i vitit të kaluar, pavarësisht gjithë kundërshtive”.

Kjo do të thotë, sipas Johnson, se “ne kemi dhe do të vazhdojmë ta kemi atë forcë ekonomike për t’u dhënë njerëzve të ardhurat që u nevojiten për të kapërcyer këtë krizë energjetike të shkaktuar nga lufta e egër e Putinit”.

Liz Truss, e cila mundi ish-kancelarin Rishi Sunak për të fituar betejën e lidershipit konservator, do t’i drejtohet kombit britanik më vonë sot.

Ajo pritet të shpallë anëtarët kryesorë të kabinetit të saj, për të trajtuar krizën e kostos së jetesës dhe ngrirjen e faturave energjetike.

Një sondazh i YouGov-it ka zbuluar sakaq se vetëm një në pesë britanikë janë të kënaqur që Truss do të jetë kryeministrja e tyre e re.

22 për qind i publikut britanik është i kënaqur që Truss do të jetë kryeministrja e ardhshme pasi fitoi garën e lidershipit konservator kundër Rishi Sunak.

Gjysma e publikut thanë se ishin të zhgënjyer, ndërsa 28 për qind thanë se “nuk e dinë” se si ndihen.

Midis votuesve konservatorë, 41 për qind ishin të kënaqur nga fitorja e zonjës Truss – më e ulët se 47 për qind e anëtarëve konservatorë që votuan për të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore