Lajme

Fjalimet e Kurtit për lutën kundër korrupsionit dhe raporti i DASH-it, Bajrami: Qytetarët ta kuptojnë se kryeministri më as si njerëz s’i konsideron


Hykmete Bajrami

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ku thuhet se ka “korrupsion serioz qeveritar”, duke e ballafaquar të njëjtin me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, sipas të cilit, me qeverinë e tij po luftohet korrupsioni.

Reagimin e saj, Bajrami e ka bërë përmes një postimi në Facebook, të titulluar “Kur Albin Kurti mendon se po ju drejtohet deleve a.k.a analfabetëve funksional”, derisa ka përmendur rastet kur kryeministri u thotë anëtarëve të partisë së tij se ekzekutivi i tij nuk po vjedh.

“Albin Kurti me 14 prill në mbledhjen e Këshillit të LVV-së fliste sikur ata që e dëgjonin ishin dele. Ai ndër të tjera tha ‘qytetarët po e ndjejnë se që tri vite nuk po i vjedhë Qeveria’ në anën tjetër në tri vitet e fundit ministrat dhe të zgjedhurit e tij kanë nënshkruar plotë 889 kontrata sekrete në vlerë rreth 240 milionë euro”, shkroi fillimisht Bajrami.

Ky, sipas ish-Ministres së Financave “është korrupsioni më i madh qeveritar që ka ndodhë deri me tani”.

“Dhe derisa disa nga ministrat dhe të zgjedhurit e tij shkruajnë kontrata sekrete në katër sy e merren veshë me miq e dashamirë, të tjerë janë zënë në flagrancë duke shly borxhe të kompanive private ndaj shtetit hiq me pas se dhjetëra miliona euro”, shtoi ajo, duke iu referuar raportimeve të Albanian Post.

Ajo thekson se të gjitha këto thuhen zëshëm në raportin e DASH-it, “i cili ndër ngecjet e shumta flet për korrupsion serioz qeveritar, pra sipas DASH-it në Qeverinë e Kurtit ka ‘serious government corruption (korrupsion serioz qeveritar)’”.

Deputetja e LDK-së fton qytetarët që përderisa Kurti flet pa asnjë referencë se si në tre vitet e fundit Kosova është ngritur për 22 vende në lirinë e medias, 21 vende në luftën kundër korrupsionit, 16 vende në demokracinë liberale, 13 vende në demokracinë elektorale “shihni vet se çka thotë raporti i DASH-it për të gjitha këto arritje”.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit i publikuar të hënën ndër të tjera thotë: “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve; korrupsion serioz qeveritar; dhunë e gjerë me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje ose nga partneri intim; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë që synojnë pakicat etnike ose komunitetet e tjera të margjinalizuara”.

Duke pasur parasysh këtë, Bajrami vlerëson se “qytetarët duhet ta kuptojnë se Kurti më as si njerëz nuk i konsideron sepse me këto fjalime po e fyen inteligjencën e secilit”.

Çka thuhet në raport?

Në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të të publikuar këtë të hënë me 22 prill.

Në përmbledhjen fillestare të raportit përmenden të gjeturat kryesore dhe aty thuhet se në Kosovë ka “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit”, pastaj “kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve” dhe gjithashtu “korrupsion serioz qeveritar”.

Raporti flet edhe për “dhunë të gjerë me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje ose nga partneri intim; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë që synojnë pakicat etnike ose komunitetet e tjera të margjinalizuara”.

Sipas raportit Qeveria e Kosovës ka marrë hapa, por ata ishin “jokonsistent për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore