Lajme

Finlanda dërgon drejt Turqisë një delegacion për ekonominë e gjelbër dhe digjitalizimin


Me fokus bashkëpunimin në fushën e tranzicionit të gjelbër dhe digjitalizimit, një delegacion i madh nga Finlanda do të zhvillojë bisedime treditore në Turqi.

Kështu ka bërë me dije Ambasada Finlandeze në Ankara, mes negociatave të vazhdueshme për pranimin e shtetit nordik në NATO.

“Ministri i Bashkëpunimit për Zhvillim dhe Tregtisë së Jashtme, Ville Skinnari, më datat 6 deri më 8 qershor do të zhvillojë një vizitë treditore në Ankara dhe Stamboll”, ka deklaruar ambasada.

Po ashtu, ai do të shoqërohet nga “20 kompani finlandeze, të fokusuara në tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin”.

Gjatë vizitës së tij, Finlanda dhe Turqia do të mbajnë takimin e tyre të parë të komisionit të përbashkët ekonomik dhe tregtar.

Ndërkaq, ministri do të takohet edhe me përfaqësuesit turq dhe do të marrë pjesë në panairin WIN EURASIA.

Vizita vjen pasi Finlanda dhe Suedia po bëjnë përpjekje për të kapërcyer veton e Turqisë përpara thirrjeve të tyre për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s.

Turqia i akuzon të dy shtetet se mbështesin PKK-në dhe degën e saj siriane, YPG-në dhe se nuk do t’i lejojë ata në aleancë nëse nuk ndryshojnë qëndrimin ndaj grupeve terroriste anti-Turqi.

Turqia u dorëzoi atyre zyrtarisht një listë kërkesash për këtë qëllim.

Dy shtetet nordike janë të gatshme të marrin miratimin e nevojshëm nga të 30 vendet aleate gjatë Samitit të NATO-s, i cili do të mbahet më 29 deri në 30 qershor në Madrid.

Nga Finlanda, një zyrtar i lartë i sigurisë ka thënë se shteti nordik po e merr seriozisht luftën kundër terrorizmit dhe se vendi po bashkëpunon me Turqinë.

Antti Pelttari, kreu i Shërbimit të Sigurisë dhe Inteligjencës së Finlandës, ka treguar se vendi po bën maksimumin për ta marrë seriozisht kërcënimin terrorist të paraqitur nga PKK-ja.

“I kemi ndjekur aktivitetet e PKK-së për shumë vite”, ka pohuar ai.

“Në vjetarin e këtij viti flasim për aktivitetet financuese dhe mbledhjen e fondeve të PKK-së. E marrim seriozisht. Është pa dyshim një organizatë terroriste. E marrim seriozisht terrorizmin”, ka shtuar.

Marrë nga “Hürriyet Daily News”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore