Lajme

Festa në Downing Street: Policia nuk do të hetojë për shkak të ‘mungesës së provave’


Boris Johnson ka thënë se ai beson se rregullat janë ndjekur në Downing Street gjatë bllokimit të vitit të kaluar

Policia Metropolitane thotë se për shkak të “mungesës së provave”, nuk po hetohen pretendimet se stafi i rezidencës së Kryeministrit anglez në Downing Street numër 10, ka thyer rregullat e COVID-19, në dhjetor të vitit të kaluar.

Një video e marrë nga ITV, tregon stafin duke bërë shaka për mbajtjen e një feste Krishtlindjesh, gjatë orarit të kufizimeve dhe të bllokimit të qarkullimit.

Pas një reagimi të ashpër, ish-zëdhënësja e kryeministrit, e cila shfaqet në klip, u largua nga detyra e saj.

Ndërkaq, Laburistët i kanë kërkuar policisë që të ndjekë një hetim “pa frikë apo favor”.

Sekretari i shëndetësisë në hije, Wes Streeting tha se ishte “thjesht e papranueshme që policia të argumentonte se nuk kishte prova se festat u zhvilluan”, duke shtuar: “të gjithë e kemi parë videon që përfshin stafin e numrit 10, që i referohej festës së 18 dhjetorit”.

Boris Johnson ka kërkuar falje për klipin e stafit të Downing Street dhe i ka kërkuar nëpunësit të lartë civil Simon Case, të kryejë një hetim nëse rregullat ishin shkelur.

Ndërkohë, një zëdhënës i Partisë Konservatore ka konfirmuar se katër nga stafi i saj – të cilët ishin transferuar në fushatën e partisë për kryebashkiak në Londër – u ndëshkuan me masa disiplinore pas një mbledhjeje kolektive të paautorizuar në një nga zyrat e partisë më 14 dhjetor të vitit të kaluar.

Një burim tha se muzika që luhej mund të dëgjohej edhe në ndërtesa diku tjetër.

Festa mësohet të ketë ndodhur më 13 nëntor të vitit të kaluar, kur Anglia ishte në izolim, me njerëzit që e kishin të ndaluar të takoheshin në ambiente të mbyllura ose në kopshte private.

Por disa nga ata që u tha se kishin qenë atje i kanë thënë BBC-së se pretendimet nuk janë të vërteta dhe zëdhënësja e Johnson-it mohoi se kishte qenë në një festë më 13 nëntor.

Kjo nuk ka mbaruar.

Nuk ka një përshkrim të qartë se çfarë ndodhi pas derës numër 10. Por thuhet se nuk ka mbaruar sepse tani do të bëhet një hetim për të vërtetuar ato fakte.

Gjithashtu ka pretendime për të paktën tre tubime të tjera në Downing Street – të mohuara, por jo të shpjeguara plotësisht, dhe një tjetër i konfirmuar.

I pyetur për ngjarjet e raportuara se kanë ndodhur në Downing Street vitin e kaluar, kryeministri tha: “Me sa kam dijeni, kemi ndjekur rregullat gjatë gjithë kohës”.

Revista tabloid “Mirror” raportoi për herë të parë historinë e më shumë se një javë më parë, për një festë Krishtlindjesh, që u zhvillua më 18 dhjetor të vitit 2020 në Downing Street.

Që atëherë, një burim ka konfirmuar për median britanike “BBC” se një festë ka ndodhur me të vërtetë dhe kanë marrë pjesë “disa dhjetëra” njerëz.

Por nga Rezidenca në numrin 10 këmbëngulet vazhdimisht se nuk kishte pasur një festë dhe se të gjitha udhëzimet për koronavirusin ishin ndjekur.

Megjithatë, klipi i marrë nga “ITV News” dukej se tregonte stafin e Downing Street më 22 dhjetor duke bërë prova se si t’i përgjigjen pyetjeve të mundshme në lidhje me një festë “të premten mbrëma”.

Duke qeshur, sekretarja e atëhershme e shtypit e kryeministrit, Allegra Stratton, përgjigjet: “Shkova në shtëpi”, ndërsa një ndihmës tjetër bën shaka: “nuk ishte festë, ishte djathë dhe verë”.

“A është mirë djathi dhe vera”, pyet ajo, përpara se të shtojë: “Kjo festë imagjinare ishte një takim biznesi”.

Pas publikimit të klipit, zonja Stratton dha dorëheqjen nga roli i saj si zëdhënëse e COP26.

Duke lexuar një deklaratë ndërsa përlotet, ajo tha: “Për të gjithë ju që humbët të dashurit, që duruat vetminë e patolerueshme dhe që luftuat me bizneset tuaja, më vjen vërtet keq”.

Pas publikimit të videos, policia tha se kishte marrë një “sasi të konsiderueshme korrespondence” në lidhje me raportet për shkelje të rregullave në Downing Street.

“Bazuar në mungesën e provave dhe në përputhje me politikën tonë për të mos hetuar shkelje retrospektive të rregulloreve të tilla, Met nuk do të fillojë një hetim në këtë moment”, u tha nga policia.

Ngjarjet rreth festës në Downing Street më 18 dhjetor, kanë zemëruar shumë njerëz, përfshirë disa konservatorë.

Ndërsa udhëheqësi konservator skocez, Douglas Ross, tha se Johnson duhet të largohet nëse zbulohet se ka mashtruar Parlamentin.

Ai për televizionin “Sky News” tha: “nëse ai e dinte se kishte një festë, nëse ai e dinte se kishte ndodhur, atëherë ai nuk mund të vijë në Dhomën e Komunave dhe të thotë se nuk ka pasur parti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore