Sport

Ferrari besimplotë për sezonin e ri


Ferrari po rrezaton vetëbesim pasi arritën vendin e tretë në sezonin që shkoi të Formula 1.

Në garat e fundit, ata ishin shumë të shpejtë dhe arritën që të rrëmbejnë vendin e tretë nga McLaren, duke mbyllur një sezon pozitiv.

Mirëpo, shefi i skuadrës italiane, Mattia Binotto, thotë që “vendi i tretë nuk është më synim” kur skuadra i drejtohet sezonit të ri.

Carlos Sainz, në vitin e parë me Ferrari-n, së bashku me Charles Leclerc, e udhëheqen skuadrën te 323.5 pikë në fund të sezonit.

Binotto thotë që progresi ishte shumë i mirë duke marrë parasysh që Ferrari theu një rekord negativ në vitin 2020, duke përfunduar në vendin e gjashtë.

“Objektivat tona për 2021-shin, ishin që të përmirsojmë vetën në secilën pjesë të makinës, në secilin detaj”, u shpreh Binotto.

“Nuk e kishim vendin e tretë si synimin kryesorë”, tha ai, “por megjithatë është një shtysë e madhe përpara”.

Binotto në këtë intervistë zbuloi një gjë, që Ferrari synon të jetë në garë me RedBull-in dhe Mercedes-in gjatë sezonit që vjen.

“Kam shumë besim në punën që kemi bërë deri më tani”, tha Binotto, “por, kemi ende shumë, shumë punë për të arritur aty ku duhet”.

Sezoni 2022 është një sezon krejtësisht i panjohur për të gjithë, me makinat e Formula 1 që do të marrin formë ndryshe dhe me rregullat që do të ndryshojnë tërësisht.

Sipas ekspertëve, përveç treshes së madhe, nuk është aspak e çuditshme nëse në luftën për titull përfshihen edhe skuadra si Aston Martin, Alpine dhe McLaren.

 

Pas afro një dekade ku dominonte Mercedes dhe ndonjëherë përfshihej RedBull ose Ferrari, duket se më në fund do të kemi një sezon ku më shumë se dy skuadra luftojnë për çmimin e madh.

Më 20 mars në Bahrain, gjithçka do të kuptohet kur dritat ndezen për herë të parë në kuadër të sezonit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore