Lajme

Fati i mediave nën pushtetin taleban


Madina Morwat ishte në mesin e shumë gazetarëve afganë që humbën punën kur dhjetëra stacione televizive dhe radio pezulluan programet pasi talebanët morën pushtetin muajin e kaluar.

Kjo nuk e ndaloi reporteren 23-vjeçare të rifillojë karrierën e saj.

Ajo u punësua në një nga kompanitë më të mëdha të mediave në Afganistan, Moby Group.

“Shumë ambasada më pyetën nëse doja të largohesha nga Afganistani, por jam e përkushtuar të punoj për gratë dhe vendin tim”, tha Morwat.

Që kur grupi islamik u kthye në kryeqytetin afgan në gusht, Tolo News, ka vijuar transmetimin më një orar të plotë.

Ky kanal është i njohur për mbulimin e gjerë të ngjarjeve.  Ai ishte i pari që bëri me dije lajmin e largimit të presidentit, Ashraf Ghani.

Gjithashtu ai ka punësuar dhjetëra gazetare gra.

Por fati i këtij televizioni nën pushtetin e talebanëve po shihet gjerësisht si një provë nëse regjimi i ri do të garantojë liritë themelore.

Gjatë pushtetit të mëparshëm të talebanëve nga 1996 deri në 2001, gratë u dëbuan nga jeta politike dhe mediat u kontrolluan totalisht.

Madje edhe format e tjera të argëtimit u ndaluan.

Por këtë herë, nga nevoja për njohjen ndërkombëtare, talebanët kanë interes të paraqesin një fytyrë më liberale ndaj fuqive perëndimore.

Nga ana tjetër, qeveritë e huaja shpresojnë se regjimi do të jetë ai me të cilin mund të punojnë për të shmangur një krizë ekonomike.

Deri më tani, kjo perspektivë duket e pasigurt.

Gazetarët e rrahur nga talebanët

Luftëtarët e armatosur kanë shpërndarë në mënyrë agresive protestuesit dhe javën e kaluar rrahën dhe arrestuan gazetarë. Përfshirë këtu një kameraman të Tolo News-it.

Ngritja e Tolo News-it, lajmëroi modernizimin e peizazhit mediatik të Afganistanit pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-të.

Si transmetuesi kryesor i vendit, me programe në Pashto dhe Dari, dy nga gjuhët kryesore të vendit, Tolo dhe kanalet e tjera televizive komandojnë një pjesë prej 60 % të auditorit në Afganistan.

Shfaqja “Ylli Afgan” dhe programi i lajmeve në mbrëmje tërheqin rregullisht rreth 12 milionë shikues, një e treta e popullsisë së vendit.

Kanalet e tij janë gjithashtu të disponueshme në vendet në të gjithë rajonin.

Tolo News vuri në provë regjimin e ri kur i kërkoi zyrtarit taleban, Mawlawi Abdulhaq Hemand, të bënte një intervistë me spikeren e lajmeve, Beheshta Arghand, dy ditë pasi morën pushtetin.

Por Arghand dhe më shumë se 50 të tjerë në mesin e 400 personave të stafit kanë ikur nga vendi.

Të tmerruar se talebanët do të shënjestronin shtëpitë e tyre ata i kalonin netët në zyrë pas marrjes së kontrollit.

Edhe pse është e paqartë për sa kohë Tolo do të jetë në gjendje të qëndrojë drejtpërdrejt, televizioni ka përdorur  mediat sociale për të denoncuar fshikullimin e gazetarëve dhe për të nderuar një gazetar që punon me Frontin e Rezistencës Kombëtare të Afganistanit, i cili u vra në luftimet kundër talebanëve në Luginën Panjshir.

Beheshta Arghand

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore