Lajme

Familjet me asistencë sociale nga ky muaj mjetet do t’i pranojnë në llogari bankare


Ministria e Financave, Punës dhe Transereve ka njoftuar se të gjitha familjet me asistencë sociale, duke filluar nga ky muaj do t’i pranojnë mjetet financiare në llogari bankare.

“Ministria e Financave Punës dhe Transfereve (MFPT) njofton familjet përfituese të Asistencës Sociale se që nga ky muaj (prill 2023) do të pranojnë mjetet e asistencës në llogaritë private bankare, bazuar në konfirmimet që kanë dorëzuar në Qendrat për Punë Sociale”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Përfituesit e asistencës sociale duhet të drejtohen tek zyrat apo pikat e Bankave Komerciale, ku i kanë llogaritë e tyre, për të pranuar mjetet e asistencës.

Ndërsa, deri më tani, asistenca sociale është shpërndarë përmes zyrave postare.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se në rast se ndonjë familje nuk i pranon mjetet financiare për asistencë social për muajin prill 2023, atëherë duhet të paraqiten sa më parë në Qendrën për Punë Sociale në komunën e tyre dhe të njoftojnë zyrtarët e ndihmave sociale.

Por, e njëjta nuk vlen për përfituesit e asistencës sociale që e kanë statusin e azilantit, ata do të vazhdojnë që të pranojnë asistencën në Zyrat Postare.

Ndryshe, në Kosovë me asistencë sociale janë mbi 25 mijë familje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore