Shqipëria

Familja Durdaj kërkon që Mediu të mos lejohet të dalë jashtë vendit, mund të ndikojë te dëshmitarët për rastin Gërdeci


Familja Durdaj (një prej të dëmtuarve të shumtë në rastin Gërdeci), ka bërë një kërkesë pranë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të mos lejohet të dalë jashtë vendit dhe të përshpejtohet procesi ndaj ish-ministrit.

Kjo, për shkak se ekziston shqetësimi që Mediu të ndikojë potencialisht te dëshmitarët e çështjes.

Në kërkesë theksohet se nga tragjedia kanë kaluar tashmë 16 vite, është e rëndësishme që të merren masa që drejtësia të mos vonojë dhe të mos jetë drejtësi inaktive.

Në lidhje me masën e sigurisë, është kërkuar që ish ministri të mos largohet nga vendi pa lejen e gjykatës.

Në kërkesë theksohet se ekziston mundësia që Mediu të ndikojë tek dëshmitarët dhe ekspertët për sa kohë që është në gjendje të lirë.

“Ndërkohë që Mediu rezulton të ketë vizituar SHBA, ndërkohë që me anë të letërporosisë është kërkuar marrja në pyetje nga autoriteteve vendase të dëshmitarëve me shtetësi amerikane”, shkruhet në kërkesë.

Më 15 maj, ishte po Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ajo e cila ka rrëzuar një kërkesë të bërë nga avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me një akt të ri ekspertimi ekonomiko-financiar, sa i takon çështjes Gërdeci.

Për këtë, Mediu vetë, në një dalje për mediat pas seancës, ka thënë se SPAK është duke kërkuar një “kokë turku” për gjithë ngjarjen.

Fillimisht, avokati i Mediut ka thënë se ekspertët e përzgjedhur për kryerjen e akt ekspertimit, nuk kanë licencë.

Pikërisht mbi këtë bazë e kishin ngritur edhe pretendimin, duke argumentuar se akuza e SPAK ka probleme, nëse prova e paraqitur si akti i ekspertimit merret parasysh.

Në bazë të mbrojtjes, katër nga pesë ekspertët nuk kanë licencë dhe janë nëpunës shtetërorë.

Sipas vetë Mediut ndërkaq, sot është parë qartë një persekutim ndaj tij, i cili ndodh prej 16 vjetësh, për ta bërë fajtor rreth shpërthimit të Gërdecit.

“Edhe sot u pa qartë që prej 16 vjetësh vijon persekutim personal e familjar se Mediu ka qenë shkaktar i Gërdecit. Sipas akuzës unë duhet të dija gjithçka. Duhet një “kokë turku” për Gërdecin. Ekspertët nuk janë të licencuar. Në aktin e ekspertimit nuk kanë firmosur si ekspertë por si përfaqësues të KLSH dhe auditi. E kemi provuar me fakte se nuk është ministri që e zgjodhi Gërdecin”, theksoi ai.

Më 2 maj ndërkaq, avokatët e Mediut kanë kërkuar që pyetja e pesë shtetasve amerikanë të bëhet përmes videokonferencës, pasi kjo do të ishte në të mirë të procesit dhe do të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës.

Amerikanët kanë ofruar si një mundësi, marrjen në pyetje të tyre nga agjentët e FBI. Avokatët kanë kërkuar autorizimin si ndërmjetës të gjeneral major Andrew Turley.

Në lidhje me kërkesën për pyetjen me videokonferencë, prokurorët kanë rënë dakord, por pritet vendimi i gjykatës.

Dëshmitë

Luan Hoxha ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një kabllogram që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit të Shtetit, në 20 qershor 2009, shkruhet se Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa.

Kabllogrami u publikua nga Ëikileaks.

Më herët – në seancën e fundit të janarit – Mediu, u shpreh se të gjithë duhet të thonë të vërtetën për çështjen.

Ai shtoi se shpresonte që të gjithë të flisnin, ndërsa shtoi se ka edhe dëshmitarë që heshtin.

“Ky proces tregon se ministri i Mbrojtjes s’ka bërë asgjë tjetër veçse ka zbatuar ligjin. Nuk e di nëse do dëshmojë Luan Hoxha, shpresoj që të gjithë të vijnë të dëshmojnë dhe të flasin. Në interes të zbardhjes së vërtetës të mbajë qëndrimin e vetë siç e mendon dhe si ka vepruar”, u shpreh Mediu.

Ndërkaq, Shkëlzen Madani, ish-drejtor i shërbimeve mbështetëse në ministrinë e Mbrojtjes dëshmoi këtë seancë duke thënë se “Gërdeci u përcaktua nga palët dhe se transporti është përballuar nga privati”.

“Shkresa me siglimin për Shkëlzen Berishën u kalua në drejtorinë juridike”.

Ndërtimi i situatës

Deri më tani GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Mediun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Më 10 janar Mediu u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe deklaroi atë ditë se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.

Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin dhe do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve.

Kjo pasi më 12 tetor bëri me dije se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej, bëhet me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë, të imunitetit do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore