Euro 2024

Euro 2024: Zvicrës i grabiten PC-të e analistëve të ndeshjes


Kombëtarja e Zvicrës është goditur nga një rast i pazakontë në Euro 2024. Analistëve të ndeshjeve të helvetëve u janë grabitur PC-të.

Siç raporton gazeta gjermane “Bild”, konfirmimi ka ardhur drejtpërdrejt nga stafi teknik zviceran, i cili ka raportuar menjëherë incidentin tek autoritetet gjermane.

“Mund të konfirmoj se tre kompjuterë të bashkëpunëtorëve tanë janë zhdukur nga hoteli, kemi njoftuar policinë”, ka komentuar Adrian Arnold, zëdhënës i federatës zvicerane.

Vjedhja ka ndodhur brenda kampit të ekipit kombëtar që ndodhet në Dusseldorf.

“Nuk kishte të dhëna të ruajtura në tre kompjuterët që përdorim për këtë turne”, njoftoi Arnold. “Nëse ka qenë sabotim ndaj kombëtares sonë, atëherë ka shkuar keq”.

Ndërkohë, Zvicra arriti të kualifikohej në raundin e 16-të të Euro 2024, aty ku do të gjejë Italinë.

Takimi mes skuadrës së kapitenit, Granit Xhaka dhe Italisë do të luhet më 29 qershor, duke filluar nga ora 18:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore