Lajme

ESI: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit – fitore për Prishtinën, Deçanin dhe Strasburgun


Manastiri i Deçanit

Në një raport të Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI) kushtuar kontestit më të gjatë gjyqësor në Kosovë, thuhet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese (2016) për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet në mënyrë që Kosovoa të anëtarësohet në Këshillin e Evropës (KiE), duke shënuar njëkohësisht një hap vendimtar drejt sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Autoritetet në Deçan refuzojnë t’ia lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë 24 hektarë tokë dhe pyll, duke pretenduar se kjo pronë nuk i takon manastirit. Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar, përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve. E zbatimi i vendimit, sipas ESI-së, do të shënonte fitore për të gjithë.

“Do të përbënte një fitore për sundimin e ligjit dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët do të përfitonin gjithashtu nga sistemi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të KiE-së; fitore për Manastirin e Deçanit dhe minoritetin serb në Kosovë; fitore për KiE-në, veçanërisht për Asamblenë Parlamentare (PACE), raportuesit e të cilit e kanë bërë këtë një fokus qendror”.

Në raport thuhet se kontesti gjyqësor për Manastirin e Deçanit është çështje e brendshme e Kosovës, pra nuk është pjesë e procesit të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë çështje parimore për secilin që respekton Kushtetutën e Kosovës.

“Kjo nuk duhet të varet kurrë nga ajo që bëjnë ose nuk bëjnë aktorët e tjerë. E megjithatë, ka një arsye shtesë që qeveria e Kosovës të veprojë sot për këtë, dhe të zgjidhë diçka që të gjitha qeveritë e mëparshme nuk kanë arritur ta zgjidhin. Kjo çështje së fundmi është bërë kusht sine qua non që Kosova të avancojë në rrugën e anëtarësimit në KiE”, vëren tutje ESI-ja.

Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në maj të vitit 2022, por mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit është bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në KiE, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet panteoni i kombeve evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore