Lajme

Erërat e forta në Kosovë – digjen disa shtëpi si pasojë e përplasjes së telave të rrymës


Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se si pasojë e përplasjes së telave të rrymës për shkak të erërave të forta, disa shtëpi janë djegur në fshatrat Mushtisht, Sallagrazhdë, Gjinoc e në disa pjesë të tjera.

Muharremaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shkruar se temperaturat e larta po shkaktojnë zjarre në disa dimensione.

“Edhe pse sot në mesditë nuk kemi pasur raste të zjarreve, era e fortë ka shkaktuar përplasje të telave të rrymës dhe si rezultat i kësaj situate janë djegur disa shtëpi, si në Mushtisht Sallagrazhdë, Gjinoc, e në shumë pjesë tjera”, ka njoftuar Muharremaj.

Ai ka bërë të ditur se të gjitha ekipet e ndihmës janë të teren me të gjitha kapacitetet vepruese.

“Duhet të jemi në mobilizim e sipër, ngase temperatura e lartë po shkakton zjarre në disa dimenzione, mirëpo unë shpresoj dhe besoj që edhe në fshatra po mobilizoheni në grupe vullnetare që të mbetemi vigjilent përballë kësaj situate”, ka shkruar ai.

Ndërkaq Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme bën të ditur se, aktualisht janë 9 vatra aktive ku përveç zonës së bjeshkëve të Rugovës, rrezik paraqitet edhe për komunën e Suharekës dhe Prizrenit me vatra të reja zjarri.

“Si pasojë e reagimit të njësive profesionale të zjarrfikës dhe shpëtimit (NJPZSH) është raportuar për disa lëndime trupore të zjarrfikësve por fatmirësisht jo me rrezik për jetë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.

Policia e Kosovës ka paraqitur raportin 24 orësh, lidhur me gjendjen aktuale të rajoneve të Kosovës si dhe raportin e të lënduarve dhe pasojat që ka shkaktuar zjarri.

Të mërkurën e katër gushtit, një person nga Malisheva ka humbur jetën, e si pasojë e vdekjes dyshohet të jetë tymi, pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore