Lajme

Erdogan kërcënon të pengojë sërish zgjerimin e NATO-s


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka pohuar se Suedia duhet të ekstradojë 73 persona që Ankaraja akuzon për terrorizëm.

Kjo, ose të përballet me rrezikun që parlamenti i vendit të tij të rivendosë një veto në përpjekjen e vendit për t’u bashkuar me NATO-n.

Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja britanike “Financial Times”.

Asnjë angazhim i tillë nuk u shfaq në tekstin e një memorandumi të përbashkët që u nënshkrua nga Turqia së bashku me Suedinë dhe Finlandën këtë javë.

Kjo marrëveshje dukej se kishte kapërcyer kundërshtimet e Turqisë për pranimin e dy vendeve nordike në aleancën ushtarake perëndimore.

Teksti nënvizonte se Stokholmi dhe Helsinki do të “adresonin” kërkesat në pritje të deportimit ose ekstradimit të Turqisë.

Por Erdogan u tha gazetarëve se “Suedia na ka dhënë premtimin se 73 terroristë do të ekstradohen dhe deportohen në Turqi…do të shohim nëse do t’i japin apo jo”.

Presidenti turk paralajmëroi se hyrja e Suedisë dhe Finlandës në NATO “nuk do të ndodhë” nëse nuk ratifikohet nga parlamenti i vendit të tij, i cili kontrollohet nga partia e tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim dhe aleatët e saj ultranacionalistë.

“Suedia dhe Finlanda duhet ta mbajnë fjalën e tyre. Nëse nuk e bëjnë, ky ratifikim nuk do të dalë para parlamentit”, garantoi kreu i shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore