Shqipëria

Erdhi koha për të shkuar, Pozitivitet Toksik


Tejet në harmoni bota e Instagram-it, apo jo?

Fytyra të qeshura, gëzim që duket se s’ka shterim. Sidomos kur kohën e rrëmben vjedhurazi ndonjë video me natyrë frymëzuese a shpresëdhënëse.

Në të, dikush të orienton si ta jetosh jetën lumtur, me moskokëçarje.

Doza e kësaj përndjekjeje gati-gati të sëmurë të transferimit të optimizmit është e vazhdueshme, e pandalshme.

Një përpjekje – e pakërkuar – që tenton të vendosë fasada të haresë me vetëbesim të rremë.

Nuk lë vend për të ndjerë emocionet reale. Nuk lë vend për të gjitha episodet e ditës. Për mërzinë, për trishtimin… fundja, as për të qarë nuk lë vend.

Veç ushqen sigurinë që nuk ekziston dhe e ka emrin Pozitivitet Toksik.

Po ç’na qenka ky fenomen që nuk e lë përjetimin të lirë?

Një shpjegim për Albanian Post e jep psikologia Elona Braçja, për të cilën pozitiviteti toksik shihet si mohim i ndjenjave negative.

Ndryshe, njëfarë sjelljeje e sforcuar pozitive që përpiqet të refuzojë çdo lloj ndjesie pozitive.

“Vjen si pasojë e problemeve jetësore që përjetojmë. Ai na inkurajon që t’i injorojmë emocionet, t’i zhvlerësojmë problemet dhe të ndiejmë një optimizëm të paarsyeshëm”, dallon ajo.

Dhe ka një sërë tiparesh që e shpërfaqin si marrëdhëniet e paekuilibruara që zbrazin energjinë psikologjike.

“Ata, që e kanë këtë sjellje, i privojnë vetes të drejtën për të qenë të lumtur, për t’i kënaqur të tjerët, duke sakrifikuar vazhdimisht veten pa u shpërblyer”, tregon psikologia.

Pa pasoja nuk është. Sipas saj, ky refuzim i së vërtetës mund të bëhet i dëmshëm, pasi personi fillon të shkëputet dalëngadalë nga realiteti.

Gëzimi, mirënjohja, dashuria… janë gjendje mendore të shëndetshme dhe absolutisht të rëndësishme. Janë emocione që duhen përjetuar.

“Por pozitiviteti mund të bëhet toksik kur përdoret si një përpjekje për të shtypur ose shmangur emocionet themelore ose për të turpëruar njerëzit nga mendimet dhe ndjenjat e tyre”, vijon Braçja.

Çka ka efektin e kundërt, duke rezultuar në ndjenja të shtuara të stresit, turpit, fajit dhe vetmisë.

Ajo zbulon se gratë kanë më shumë gjasa të përjetojnë emocione pozitive, si lumturia dhe gëzimi, në krahasim me burrat.

Këto emocione më intensive të grave e balancojnë rrezikun e lartë të depresionit, sepse gratë kanë tendencë të veprojnë më shumë se meshkujt dhe kanë më shumë gjasa të vuajnë ndjenjat e turpit nëse nuk konkludojnë se po bëjnë  “gjënë e duhur”.

Por si mund t’i vihesh kundër pozitivitetit toksik?

Për psikologen është tejet me vlerë dhe rëndësi që njerëzit të kujtojnë dhe pranojnë se është krejt në rregull të mos ndihesh mirë.

“Flisni me miqtë, familjen dhe shkëputuni për pak nga rrjetet sociale”, sugjeron ajo si një rrugëdalje.

Nga pozitiviteti toksik nuk shpëtojnë as fëmijët.

Te fëmijët, ai mund të jetë i pranishëm si pasojë e prindërve toksik.

Shpesh, prindërit toksikë i shndërrojnë fëmijët e tyre në zëvendësues prindëror dhe në pritës të irritimeve, duke kërkuar vëmendjen e tyre në çdo kohë.

“Kjo mund të shihet si lidhje midis prindit dhe fëmijës, por në fakt, është një marrëdhënie parazitare që kërkon shumë nga koha dhe energjia e fëmijës, ku ata duhet të fokusohen në mësimin e aftësive të tjera”, sqaron ajo.

Braçja nuk e mohon faktin që prindërit kanë të drejtën e tyre për të përfshirë fëmijët, por problemi qëndron te tejkalimi i masës.

“Patjetër që prindërit kanë të drejtë të përfshijnë fëmijët e tyre, por asnjëherë në masën e krijimit të një lidhjeje toksike me ta”, veçon ajo.

E gjitha pasi krijohet “një model që e bën të vështirë për fëmijët të njohin dhe kuptojnë siç duhet kufijtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore