Lajme

Emigrimi “është bërë trend” – për 6 muaj 286 infermierë u larguan nga Kosova


Për shkak të kushteve jo të mira, 286 infermierë janë larguar nga Kosova pasi janë pajisur me licenca dhe certifikata të cilat iu shërbejnë për t’u punësuar nga Oda e Infermiereve të Kosovës.

Këto shifra i ka treguar për Ekonomia Online, Kryetarja e OIK, Nexhmije Gori, derisa ka adresuar kritika ndaj Qeverisë për Ligjin e ri të Pagave.

“Emigrimi është në trend dhe infermierët çdo ditë e më shumë po kërkojnë licenca të paplasitifikuara dhe vërtetim të kodit etik për t’u punësuar në vendet tjera. Ka pasur rritje vit pas viti, por përmasa të mëdha ka marrë në vitin 2022 dhe 2023. Këtë vit, kemi lëshuar 286 licenca për gjashtë mujorin e parë”, tha Gori.

“Duke pasur parasysh ngritjen e çmimeve, është e pamundur që një infermier me pagën që e merr në Kosovë ta mbajë familjen e mos të flasim për gjëra të tjera”.

Këto ankesa, kryetarja e OIK-ut ka theksuar se janë drejtuar në organet kompetente, por se nuk kanë marrë ende përgjigje.

“Mekanizmi kryesor për ta ulur largimin e infermierëve është hapja e vendeve të punës, përmirësimi i kushteve, përmirësimi i koeficientit për rritje të pagave”, shpjegoi ajo.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Por, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, fenomeni i largimit të mantelbardhëve nga Kosova, nuk është ashtu siç po proklamohet me pompozitet nga disa individë.

Sipas tij shifrat dhe përshtypja që po krijohet janë më të fryra se sa realiteti, kur fjala bie për largimin e profesionistëve shëndetësor.

“Nuk po them që ka mjek që nuk po shkojnë, mirëpo nuk mendoj që është në rregull që çdo e dyta fjali në shëndetësi të jetë për mjekët që po shkojnë sepse nuk reflekton realitetin”, kishte thënë Kurti në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

SHSKUK për largimin e mjekëve nga vendi: Po krijohet brengë tek qytetarët dhe çorientim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore